Federer si Buffon dhe Rossi, “Fenomenët” që nuk kanë moshë

26.01.2017 16:44:39

Roger Federer, Gianluigi Buffon, Valentino Rossi. Këta janë anëtarët e klubit ekskluziv të fenomeneve që nuk e dinë se çfarë është mosha, fëmijë të përjetshëm që prej 20+ vitesh argëtohen duke mbushur me rreshta faqet e historisë së sportit. “Mbreti” Roger po shkruan një tjetër kapitull të mrekullueshëm. Ka arritur finalen e Australian Open në moshën 35 vjeç dhe ka vënë në shënjestër titullin e tij numër 18 në një Grand Slam. Askush, natyrisht, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në Melburne ka vuajtur shumë për të kaluar Wawrinka-n. Ka arritur të kthehet pas “blackout”-it të setit të tretë dhe në fund ka festuar. E ka bërë gjithë këtë me elegancën e jashtëzakonshme atletike që e karakterizon, sikur koha të ishte ndalur dhjetë vite më parë dhe sikur problemet fizike të mos kishin ekzistuar kurrë. Ora biologjike është ndalur edhe nga Gianluigi Buffon, i cili më 28 janar do të mbushë 39 vjeç. Pasi të shuaj qirinjtë do të marrë autobusin për në Rexho Emilia ku Juventus do të ndeshet me Sassuolo-n, edhe një herë mes shtyllave për të sfiduar kohën dhe moshën.

Mbas tri javësh Valentino Rossi do të mbushë 38 vjeç. “Doktori” është gati për të bërë testet e para me Yamaha-n e re dhe është në kërkim të titullit numër 10-të, që i ka shpëtuar për pak nga duart në vitet e fundit. Shoku i tij i ekipit Maverick Vinales ka qenë vetëm 1 vjeç kur Valentino, në 1996-ën, ka debutuar botëror. Pas miliona shërbimesh, pritjesh dhe kilometrash janë akoma aty. Federer, Buffon dhe Rossi. Drejt të dyzetave me freskinë e 20-vjeçarëve./ telesport.al/