Federer vuan por fiton, “OK” Murray e Wawrinka

16.01.2017 15:22:21

Ka startuar sot në Melburn grand slemi i Australia Open në tenis, teksa janë luajtur disa nga ndeshjet e raundit të parë. Asnjë surprizë te meshkujt, me pretendentët që kanë fituar në përballjet e para edhe pse Roger Federer vuajti disi ndaj austriakut Juergen Melzer. Zvicerani fitoi 3-1 (7-5, 3-6, 6-2, 6-2), por në dy setet e para ndjeu paksa trysninë e një turneu të tillë dhe mungesën në një duel të madh pas kaq shumë kohësh pushim. Në turin e dytë kualifikohet edhe numri 1 në botë, britaniku Andy Murray, që sot mposhti 3-0 (7-5, 7-6, 6-2) ukrainasin Illya Marchenko. Një lojë në përgjithësi e mirë e Murray, që vuajti në disa momente, por falë përvojës arriti të kualifikohet.

Një fitore të vuajtur dhe më përmbysje arriti tenisti tjetër zviceran, Stanislas WaWrinka, që mundi 3-2 Martin Klizan (4-6, 6-4, 7-5, 4-6, 6-4), në një ndeshje që zgjati gati 4 orë. Gjithsesi, Wawrinka pret një biletë për më tej, ashtu sikurse kroati Marin Cilic, që sot mundi 3-2 (4-6, 4-6, 6-2, 6-2, 6-3) polakun Jerzy Janowicz. Ky i fundit pati një avantazh të dyfishtë, por nuk arriti ta mbyllë ndeshje në favor, pasi Cilic bëri një përmbysje fantastike. Në turin tjetër kualifikohet edhe francezi Jo Wilfried Tsonga, që mundi 3-1 Thiago Monteiro, ndërsa australiani Nick Kirgyos eliminoi Gastao Elias (fitoi 3-0). Ndeshjet e turit të parë për meshkuj vijojnë edhe nesër, me Djokovic e Nadal protagonist.