“Fenomeni” Trump dhe Berluscon ndryshon përgjithmonë politikën dhe fushatën zgjedhore?

06.11.2016 23:43:44

Shumëkush fenomenin Donald Trump e sheh si risi në politikën botërore, por me këtë nuk pajtohet historiani dhe analisti anglez, John Foot. Ai pohon se Trumpin notorioz e kemi parë, por në formën e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, i cili premtonte gjithçka, e injoronte të vërtetën, por që përfundoi si kryeministri i tretë me mandatin më të gjatë, shkruan Guardian.

“Shpesh flasin se si fenomeni Trump tregon se kemi hyrë në një epokë të re të politikës, por e vërteta është se në këtë epokë të re jemi qe 22 vjet – qëkur biznesmeni i suksesshëm dërgonte videokaseta për edicionet e lajmeve italiane. Silvio Berlusconi njoftoi se po e merrte lojën. Reagimi i parë ishte përqeshja. Madje lëvizjen e tij e shihnin si shaka. Por, Forta Italia u bë partia më e madhe. Të majtës, pos fitoren, ai ia merr edhe votuesit. Ndërsa, me politikën italiane nisi të dominojë në 20 vitet e ardhshme”, thotë Foot, transmeton Telegrafi.

Sipas analistit anglez, Trumpi dhe Berlusconi janë shumë të ngjashëm. Të dy janë biznesmenë të suksesshëm që luftojnë me çështjet me të cilat ndërlidhen kompanitë e tyre: tatimet, kontabiliteti, llogaritë në kompanitë offshore etj.

Berlusconi shfaqej si person anti-establishment, populist dhe gjithmonë “origjinal”. Berlusconit nuk i duhej partia politike, po aq sa Trumpit i duhen republikanët. Karriera politike e Berlusconit u shënua nga gafet dhe dështimet, ku kanë dominuar stereotipat seksistë, homofobikë dhe racistë. Ai besonte se është i parezistueshëm ndaj grave e të njëjtën kohë pretendonte se është familjar që kujdeset për pesë fëmijët e tij. Fushatat zgjedhore janë përqendruar vetëm në karakterin e tij. Kështu, kur ish-kryebashkiak i Romës është përpjekur për të bërë fushatë kundër tij duke mos ia përmendur emrin, ai dështoi keq. Berlusconi gafet i arsyetonte duke thënë se po “keqkuptohet” apo se është armik i “mediave armiqësore”. Vështirë pranonte humbjet dhe jepte qëndrime të pabaza për manipulimin e votave.

“A ju ngjan dikush me këtë?”, pyet Foot.

Ish-kryeministri italian ka shpikur armiq kundër të cilëve ka mundur të mblidhte mbështetësit: gjyqësorin, median, politikën, gratë, komunizmin, BE-në dhe eurot. Ai e dinte se votuesit kanë kujtesë të shkurtë, prandaj premtonte gjithçka. Skandalet e Berlusconit pak kanë ndikuar tek votuesit, ashtu si te Trumpi. Çdo krizë bile e ka përforcuar atë. Ai madje u bë aq i fuqishëm sa që me ligje i siguronte vetit imunitet nga ndjekja penale.

Fenomeni Berlusconi tregoi se një politikan i tillë mund të vijë në pushtet në një nga vendet më të fuqishme në Evropë. Për Shtetet e Bashkuara ky është një mësim, sepse Berlusconin e cilësonin si palaço! Kështu, edhe nëse fiton apo humb, Trump po dëshmon se ka ndryshuar diskursi politik dhe mënyra se si bëhen fushatat. Gjërat në politikë kurrë nuk do të jenë të njëjta.