“Ferdonija” – vuajtja e nënave për bijtë e pagjetur

27.04.2018 18:35:41
“Në proces jemi fokusuar tek Ferdonija sepse ajo jeton krejt vetëm. I ka të gjithë të vrarë dhe për këtë arsye na ka interesuar. Kemi përcjellë një proces më të gjatë pune, që ka zgjatur rreth dy vjet”

Bashkëautori i dokumentarit “Ferdonija”, Gazmend Bajri, ka thënë se fryma e këtij krijimi në shirit mëton të përçojë tek shikuesi përballjen e zorshme me jetën të një nëne dhe gruaje të mbetur vetëm nga lufta e fundit në Kosovë.

Ferdonije Qerkezi është mishërimi i vuajtjes së nënave dhe grave shqiptare të cilave fëmijët dhe burrat u janë të zhdukur akoma, gati dy dekada pas luftës çlirimtare, ka nënvizuar Bajri në Info Magazine.

“Shumë rastësisht ka nisur ky projekt. Kemi dashur ta bëjmë një video, pa e pasur idenë se do të përfundojë si dokumentar. Për mua takimi i parë ka qenë goxha intensiv. Më ka interesuar trauma, sepse edhe unë kam pasur traumë nga lufta”.

“Në proces jemi fokusuar tek Ferdonija sepse ajo jeton krejt vetëm. I ka të gjithë të vrarë dhe për këtë arsye na ka interesuar. Kemi përcjellë një proces më të gjatë pune, që ka zgjatur rreth dy vjet”.

“Ky dokumentar tashmë është prezantuar në disa festivale nëpër botë. Javën e kaluar është shfaqur në Suedi dhe është pritur shumë mirë. Ideja e tij është trajtimi i traumës, jo fshehja e saj. Në njëfarë mënyre ne si popull jemi të traumatizuar”.