Fermerët grekë letër qeverisë: Na duhen urgjent 7 mijë punëtorë shqiptarë

27.04.2020 16:45:53

Fermerët grekë i bëjnë apel qeverisë greke të hapë menjëherë kufijtë me Shqipërinë për punëtorët sezonalë në fushën e bujqësisë. Bëhet fjalë për marrjen e 7,000 shqiptareve për të punuar tokat në vjeljen e frutave dhe perimeve. Kryetaret e shoqatave të fermerëve presin miratimin e planit të detajuar pasi sipas tyre nuk ka më kohë për të humbur.

Christos Giannakakis, president i Organizatës Kombëtare të profesionisteve për Industrinë e Frutave u shpreh për agjencinë greke te lajmeve se vjelja duhet të fillojë patjetër në fusha në fillim të majit, përndryshe edhe besueshmëria e Greqisë me klientët e saj jashtë vendit do të dëmtohet.

Sipas fermerëve tashmë nuk ekziston asnjë pengesë, pasi edhe pala shqiptare ka pranuar të hapë kufijtë e saj për punëtorët e tokës, raporton Vizion Plus.

Organizatat e fermerëve tashmë kanë dërguar një plan në qeveri me 11 propozime konkrete te cilat synojnë kontrollimin e punëtorëve të tokës sezonale që do të arrijnë në Greqi, kryesisht për të korrur fruta në Imathia dhe Pella, por edhe për të marrë masa shëndetësore për të parandaluar epidemine.

Prodhuesit sugjerojnë, ndër të tjera, që punëtorët të transportohen në Greqi nga Shqipëria me autobus, të kontrollohen ne kufi për pasaporta dhe teste për koronavirusin, dhe më pas t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë shëndetësor në spitalet e Verias dhe Edessas deri në daljen e analizave shëndetësore.

Ndërkohë, deputetët e  partisë në pushtet  Demokracia e re të zonës se Imathias dhe Pellas,  Lazaros Tsavdaridis dhe Dionysis Stamenitis, ndërmorën një iniciativë të përbashkët për të zgjidhur çështjen në komunikim të vazhdueshëm me ministrat kompetentë.  Ata kërkojnë që plani i lartpërmendur për ardhjen e punëtorëve të zbatohet menjëherë.

Gjithashtu  në një takim të fundit të Unionit të Punëtorëve Rural të Prefekturës së Imathias, u vendos paga ditore e punëtorëve të tokës të jetë 30 euro. Vendimi ishte unanim dhe përfaqësuesit e sindikatës u bënë thirrje kolegëve të tyre ta zbatojnë atë.

Pak ditë me parë kryeministri Edi Rama pati një bisede telefonike me homologun e tij kiriakos Micotakis për hapjen sa me të shpejtë të kufirit për këtë kategori emigrantesh.