Feronikeli shpallet kampion për të tretën herë! Prishtina në lot

19.05.2019 22:07:28

Mbaron gjithçka në “Rexhep Rexhepi” mes lotëve të gëzimit për skuadrën e Feronikelit dhe atyre të dëshpërimit për futbollistët e Prishtinës. Një sezon i dominuar ai për Niklin, skuadra e Drenasit, që arriti të bënte gjithçka mirë dhe të fitonte edhe finalen e fundit, atë ndaj bardhebluve (1-0).

Ky është titulli i tretë i fituar nga bardhejeshilët, që edicionin tjetër do të marrin pjesë në Champions League. Një gol i Yll Hoxhës në pjesën e dytë mbylli diskutimin, teksa Prishtinës i duhej vetëm fitorja për të ngritur trofeun.

Një sukses i merituar por sidomos meritë e trajnerit Zekirija Ramadani, që edhe sezonin e shkuar me Trepçe ’89 u shpall kampion i Kosovës.

Sakaq, Ballkani shpëton nga rënia në kategori, ndërsa Liria zbret në kategorinë e dytë. Në playout, Gjilani dhe Trepça ’89.