Festa e 1 Majit / Dallimi mes klasave të varfëra dhe të pasura po bëhet shumë i madh

01.05.2019 13:15:26

Nga: Haki Latifi

Për fat të keq, nga keq qeverisjët e njëpasnjëshme, situata e të drejtave të punëtorëve, në Republikën e Kosovës po bëhet gjithnji e më alarmante.
Dallimi mes klasave të varfëra dhe të pasura po bëhet shumë më i madh. Dallimet janë rritur aq shumë saqë Kosova është shtet rekord në territorin e Evropës për numrin e të papunëve.
Festa e 1 majit Kosovën e gjen në një gjendje ku në masë të madhe nuk respektohen të drejtat e punëtorëve. Më të prekurit janë punonjësit e sektorit privat, por shkelje shënohen edhe në sektorin shtetëror.
Gati gjysma e popullsisë e aftë për punë është e papunë fal paaftësisë së qeverisjës për krijimin e vendeve të reja të punës. Nuk ka një perspektivë të qartë të njerëzve, se çka i pret në të ardhmen dhe se a do të hapen vende të reja të punës në të ardhmen, në kohën kur kemi një rënie të optimizmit ekonomik, politik dhe social në përgjithësi në Kosovë.
Politikat e ndjekura deri me sot kanë krijuar një atmosferë disfavorizuese që na duhet shumë mund e djersë për të qarë hallet e klasës punëtore. Për fat të keq edhe ata që janë të punësuar sot komandohen nga politika. I pushojnë dhe i vendosin në punë sipas kursit të ndryshimit të Qeverive.
Punëtorët e Kosovës për fat të keq janë më të keqpaguarit e më të keqtrajtuarit. Paga minimale është më e ulëta në rajon, sigurimet shëndetësore mungojnë, kurse siguria në punë është nën çdo normë të lejueshme. Shkalla e lartë e papunësisë i ka bërë të papunët armë shantazhi kundër organizimit të punëtorëve.
Partitë politike në pushtet përdorin kompanitë shtetërore për të punësuar “punonjësit e tyre, aktivistët dhe votuesit që e kanë dhënë votën për ta“.
Më së keqi është gjendja në sektorin privat, ata nuk kanë kurrfarë të drejta dhe mbrojtje.
Kjo ditë është një ditë thirrje, proteste për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Ndërsa punëtorët në vend të heshtjes, të luftojnë për të drejtat e tyre dhe për ditën e 1 Majit, në vend se të shkojnë në pikniqe, duhet të organizohen më mirë dhe të dalin në marshe protestuese për të drejtat e tyre.
Sindikalistët në Kosovë kanë nevojë për rilindje, liderët e sindikalistëve në vend se të luftojnë për zbatimin e Ligjit për të drejtat e punëtorëve, ata vazhdojnë të jenë puthadorë të pushtetit.
Qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga protestat boshe, ata duan punë, ata duan siguri, ata duan drejtësi dhe përkrahjen e duhur të shtetit. E jo vazhdimisht të abuzojnë hapur me lirinë dhe të drejtat e punëtorëve në marrëdhëniet e punës dhe karrierë.
Kjo gjendje duhet patjetër ndryshuar.
Gëzuar ditën e punëtorëve!