Festa e birrës dhe kundërthënia e shoqërisë kosovare

30.07.2016 09:51:19

Nga Jeton Thaqi

11060926_1092113040814854_9087867371004152637_nPjesëmarrja në festën e birrës është gjëja më normale që mund të jetë. Është e mirë për ekonominë, është e mirë për zhvillimin, është e mirë për zbavitje dhe për të kaluar një mbrëmje më ndryshe. Kuptohet si për çdo gjë tjetër edhe për këtë duhet kujdes. Disa kujdese janë çështje ‘morale’ personale e tjera duhet kufizohen edhe me ligj, si p.sh. ngasja e makinës pas përdorimit të alkoolit dhe ruajtja e rendit, etj. Ata që tejkalojnë këto kufizime, le të dënohen sipas ligjit në fuqi.

Gjykimi sipas disave që ‘pjesëmarrje në kësi lloji festash kanë vetëm rezultate të tilla’, janë më shumë së sa primitive. Fatkeqësitë qofshin ato nga dora e njeriut, qofshin nga natyra, në shumicën e rasteve janë të paevitueshme. Sikurse me thanë pasi që në rrugë ndodhin aksidentet dhe mu për këtë arsye nuk duhet të dilet në rrugë. Është absurde. Ne nuk guxojmë të jetojmë si të vdekur. Kjo nuk do të thotë se qytetaret dhe organet e sigurisë nuk duhet të bëjnë më shumë që secili të ndihet më i lirë dhe më i sigurt. Në fakt ne paguajmë organet gjegjëse për sigurinë tonë.

Krejt në fund më lejoni ta parashtroj një pyetje, ndonëse mund të duket paksa provokuese. A është shoqëria jonë tepër e ndikueshme nga opinioni publik, gjë që e bënë atë të kundërthënëse dhe të pa përcaktuar? Një krahasim ekstrem: gjatë ramazanit e sidomos gjatë iftarit zbrazën të gjitha rrugët, thue ti që këtu është shkretëtira e Saharës, ndërsa në festat e birrës ta merr mendja së jemi diku në Berlin. Pyetja është kjo: a i bëjmë këto gjëra që na pëlqejnë dhe i zgjedhim ne, sepse na duken të mira, apo ndikohemi nga jashtë, shpesh herë edhe pa vullnetin tonë?