Fier: Zbulohet arsyeja e atentatit me eksploziv

26.02.2017 18:25:02

Atentati me tritol në Fier kundër Armando Sulos, sipas grupit të hetimit, është kryer për hakmarrje dhe me shumë mundësi është porositur nga jashtë vendit.

Një burim i tha Top Channel se Armando Sulo, i cili ka mbetur i gjymtuar dhe i është nënshtruar kujdesit shëndetësor, kishte vetëm dy javë që kishte dalë nga burgu, pas amnistisë. Gjurmët mbi të cilat policia dhe prokuroria po përpiqen të hedhin dritë kanë lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Fierit.

Një burim shpjegoi se Armando Sulo është nip i Astrit Braçes, një agjent policie i cili në vitin 1997 mendohet të ketë vrarë një person nga fisi Brahimaj. Astrit Braçe bashkë me të birin u vra në vitin 2001 nga persona që nuk u identifikuan. Zinxhiri i vrasjeve vazhdon në vitin 2003, ku persona të panjohur për autoritetet vranë shtetasin Ardian Molla, nip në familjen Brahimaj.

Për një kohë të gjatë, Policia e Fierit dyshoi se këtë krim e kishte kryer Armando Sulo dhe për këtë shkak ai është shoqëruar disa herë, por ngjarja nuk u faktua asnjëherë me prova. Shoqërimi i tij i fundit nga ku u konstatua me armë në Levan ndodhi sërish për të njëjtin motiv, por provat ishin të papërfillshme për drejtësinë, çka solli dënimin e tij vetëm për armëmbajtje pa leje.

Sulo ngeli i dëmtuar rëndë teksa po udhëtonte me mjetin e tij në lagjen “Kryengritja”. Policia thotë se atentatorët i kishin vendosur tritol poshtë sediljes, sipas një mekanizmi që është telekomanduar nga distanca. Ka dyshime thanë hetuesit se për këtë ngjarje janë aktivizuar vrasës me pagesë.