Fiks Fare: Kafshët theren në mes të pluhurit, mishi i pakontrolluar

16.01.2017 23:17:09

Sa të sigurt jemi për ushqimet që konsumojmë? A ka kontroll shtetëror për mishin apo nënproduktet e tij? Megjithëse institucionet kanë marrë masa për therjen e kafshëve dhe shitjen e mishit, në shumë qytete të Shqipërisë këto masa nuk zbatohen.

Emisioni Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së hënës një vëzhgim në disa qytete, duke filluar nga Tirana, për të vazhduar më tej në Laç, Milot dhe Peshkopi. Siç edhe rezultoi me rastet e fundit të vitit të kaluar, ku Fiksi solli pamje të mënyrës se si shitej mishi edhe në fillim të vitit 2017 vazhdon e njëjta situatë. Në shumicën e rasteve mishi shitet i pakontrolluar.

Sipas vëzhgimit, në Njësinë Administrative Ndroq e therin viçin në oborrin e shtëpisë dhe mishin e shesin të pavulosur nga veterineri. Kamera e Fiksit dokumentoi këtë rast.

E njëjta situatë është në Laç dhe Milot. Fiksi “kapi” 4 raste ku kafshët thereshin anës rrugës dhe mishi shitej i pavulosur.

Ndërkohë, në qytetin e Peshkopisë janë vetëm dy thertore të licencuara dhe 8 dyqane mishi. Gazetarët e Fiksit udhëtuan në këtë qytet. Rrugës për në Peshkopi, përkatësisht në Shupenzë dhe afër Maqellarës, gazetarët konstatojnë tre raste që kafshët theren në rrugë. Ekipi i Fiksit pyet disa nga këta tregtarë, për frikën se mos kafshët kanë sëmundje dhe janë të pavulosur. Ata thonë se mishi është i freskët dhe e hanë për vete. Në qytetin e Peshkopisë, kamera fikson disa viça të lidhur në katin e parë të pallatit. Po ashtu, një karrocier ka disa qengja. Disa kafshë theren në katet e para të pallatit, ndërsa pranë dyqaneve të mishit ka lëkura dhe këmbë kafshësh. Gazetarët pyesin shitësit në këto dyqane, të cilët thonë se kafshët i kanë therur vetë dhe se mishi nuk ka vulë nga veterineri.

Pas konstatimit të kushteve higjeno-sanitare, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Bashkinë e Peshkopisë. Shefja e veterinarisë në bashki thotë se ka gjetur mish pa vula nëpër dyqane, por nuk është kompetenca e tyre të marrim masa. “Ne mbajmë përgjegjësi vetëm për dy thertoret” thotë ajo.

Fiksi pyeti edhe drejtorin e AKU-së në Peshkopi. Ai thotë se ka kërkuar ndihmën e bashkisë dhe policisë kur ka festa. “Kapaciteti ynë kaq është” thotë drejtori, ndërsa shton se janë konstatuar të tilla raste dhe se do të marrin masa të menjëhershme.