Filozofia e Maltusit dhe koronavirusit

13.03.2020 10:25:50

Situata e frikshme që po përjetojmë sot nga pandemia botërore e koronavirusit që ka prekur mbi 100 shtete dhe që po merr me shpejtësi shumë jetë njerëzish, ma çon imagjinatën time në kohë tre shekuj mbrapa, në shekullin e XIX-të, ku lindi teoria e Maltusit. Teoria e ekonomistit britanik Maltusit, u kthye në një doktrinë sociologjike antinjerëzore, nihiliste, që u përhap veçanërisht në shekullin e XIX-të në fushën e ekonomisë politike. Për të përligjur doktrinën e tij sociale, ai, shkroi dhe botoi veprën “Mendime mbi parimet e popullimit”, në vitin 1798. Teoria e tij u quajt Maltusianizëm, sipas emri të priftit anglez T. Maltus ( 1766-1834 ), që formuloi ligjin sipas të cilit popullsia rritet në progresion gjeometrik, ndërsa mjetet e jetesës në progresion aritmetik. Kjo kontradiktë midis shtimit të popullsisë dhe burimit të mirave materiale ishte prezente, por predikimet për kapërcimin e saj ishin për të frenuar zhvillimin e popullsisë. Zgjidhja e kësaj kontradikte sipas teorisë së Maltusit dhe pasuesve të tij, propagandohej që mund të arrihet duke kufizuar rritjen e popullsisë, duke përdorur rregullator të tillë si: kufizimin vullnetar të lindjeve, urinë, epidemitë, luftërat etj. Këto definicione përligjin zhdukjen e një pjese të popullsisë me mjete luftarake apo kimike. Ne jetojmë në një kohë që shkenca ka bërë përparime tepër të vrullshme, që po pushton kozmosin dhe po bën zbulime të bujshme, që e ka vështirë t’i rrokë imagjinata njerëzore. Lindja e këtij virusi në Kinë dhe përhapja e tij me shpejtësi galopante në gjithë botën, e veçanërisht në fqinjin tonë bregdetar Italinë, është një uragan i frikshëm që kërkon jo vetëm vëmendjen e qeverisë, por dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rrezikshmërinë e tij eminente, që duhet vlerësuar maksimalisht nga çdo individ. Potenciali i madh shkencor që kanë vendet e zhvilluara, po të bashkërendonin forcat dhe përqendronin eksperimentimin dhe investimet maksimale për gjetjen e shkaktarit të virusit, do të mund ta zotëronin situatën dhe frenonin këtë fatkeqësi ndërkombëtare me pasoja katastrofike për njerëzimin. Nuk duam të besojmë apo dyshojmë, se ka në botë neomaltusianë të sotëm, që për interesa të ngushta meskine, heshtin apo i bëjnë sehir përhapjes së këtij virusi, që po të vazhdojë me këtë intensitet siç nisi në Kinë dhe po ndodh në Itali, kërcënon zhdukjen e një pjesë të popullsisë së globit. Por duke qëndruar larg supozimeve tona, le të zbresim në terren konkret në situatën që kemi në vendin tonë, që kërkon një vlerësim, informacion, respekt të ligjeve mjekësore dhe solidaritet politik e shoqëror për t’u kapërcyer kjo situatë kritike. Kërcënimi nga koronavirusi ka tronditur vendet e zhvilluara të botës, pa folur për vendin tonë që si ka potencialet e nevojshme njerëzore dhe ekonomike të mjaftueshme për të përballuar situata kaq të ndërlikuara dhe të rënda. Shtoi këtu dhe frymën e përçarjes dhe konfuzionit që kërkon të mbjellë si gjithmonë opozita, e rrit koefiçentin e vështirësive për të përballuar këtë situatë të pazakontë. Media vizive ka bërë një punë të lavdërueshme me emisione përditësore, për të ndërgjegjësuar qytetarët për rrezikshmërinë e këtij virusi dhe masat që duhet të merren për t’u mbrojtur prej tij duke thirrur në studio specialistë të fushës. Duhet ruajtur nga thirrja e politikanëve në studio, që në ndonjë rast kanë krijuar tensione të panevojshme me gjuhën e përdorur në komunikimin ndër-personal dhe për rrjedhojë irritimin e qytetarëve që ndjekin me interesim dhe shqetësim këto emisione informuese. Si në të gjitha rastet kur vendi ka pasur fatkeqësi natyrore apo njerëzore, na është shfaqur në ekranet televizive dhe në gazeta opozita me një lumë akuzash ndaj qeverisë. Këta gjahtarë të pushtetit, kanë zënë shtigjet dhe rrinë në gatishmëri për tu dalë gjahu në pritë, për të marrë pushtetin. Qarkullimi i pushtetit është ligjësi e pluralizmit dhe rotacioni nga një forcë politike të tjetra, është domosdoshmëri për të forcuar demokracinë dhe për të ruajtur ekuilibrat mes mazhorancës dhe opozitës. Rrugët për marrjen e pushtetit duhet të jenë demokratike dhe jo revolucionare, me përmbysje me dhunë, siç predikon në mënyrë permanente babai i opozitës, që s’ka nevojë t’i përmendet emri. Ai skenar që u përdor nga opozita kur ndodhi tërmeti, që Basha me ekipin e tij doli me nxitim dhe akuzoi qeverinë për mungesë masash organizative, në një kohë që qeveria atë situatë e administroi me shumë përgjegjësi e profesionalizëm dhe bëri një lobing befasues, tepër të suksesshëm, që siguroi fonde të paparashikuara nga ndërkombëtarët. Këtë qëndrim denigrues në variantin e saj të modeluar specifikisht, po e përsërit edhe sot, kur s’vonon të lëshojë akuza për pa aftësi të qeverisë. Po të ndodhte qoftë dhe në një rast i vetëm, që opozita të ishte solidare me mazhorancën, ajo do t’i sillte dobi jo mazhorancës, por vetes së vet, për ta bërë atë sadopak të besueshme në sytë e opinionit shoqëror. Kur mendon përbërjen e ekipit të opozitës, që kërkon me çdo kusht dhe me çdo mjet, të vijë në pushtet, të merr frika. Ajo, ka dhënë prova se s’di të bëjë asgjë pozitive, veçse të shajë, të shpifi, të krijojë dhe babalizojë, për çdo sukses të mazhorancës. Populli shqiptar s’duhet të mbajë me hatër asnjërën palë, por t’i monitorojë të dy liderët që janë vënë në provë në njësi më të vogla se pushteti qendror, siç është rasti në krye të Bashkisë së Tiranës, që është ballafaqim konkurencial, që i zbulon dhe evidenton aftësitë dhe pa aftësitë individuale të secilit lider. Mjafton të kujtojmë Ramën, në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, që e transformoi qytetin, nga bidonvilet që la trashëgim e djathta, i ktheu qytetarinë. Me ardhjen në drejtim përsëri të së djathtës me në krye Bashën, ai, vegjetoi dhe asgjë nuk krijoi gjatë qeverisjes së tij, që të mbetet në kujtesën e qytetarëve të Tiranës. Basha, do mbahet mend dhe ka dhënë prova kur ka qenë drejtues në disa institucione qendrore si ministër i Transporteve, që bëri rrugën e kombit dhe përvetësoi 230 milionë euro, në krye të Ministrisë së Jashtme ku nënshkroi aktin antikombëtar të firmosjes së Marrëveshjes së Detit me Greqinë për t’i falur pjesë nga deti Jon, si dhe e mbylli me “nder” në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ku u vranë katër demonstrues të pafajshëm nga Garda e Republikës, para Kryeministrisë. Shqiptarët Bashës ja njohin kontributin, aftësitë pushtetare dhe politike dhe janë në dilemë se kujt t’ia besojnë drejtimin e pushtetit. E djathta ka nevojë të rinovohet dhe të krijojë një lider me reputacion për të rritur besueshmërinë te qytetarët, se po të vijë në pushtet do ta ndryshojë gjendjen për mirë. Me shpalljen e gjendjes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kjo të kujton një situatë lufte ku ka nevojë të mendojmë maturisht se në radhë të parë jemi shqiptarë, ku kërkohet unitet dhe solidaritet dhe pastaj të mendojmë për militantizmin politik kur s’ka arsye në situata të tilla për t’u ndarë e përçarë, kur vendi po kalon një rrezik. Urojmë që këtë herë ta përjashtojmë thënien e Fishtës së madh, se sa mund të bësh bashkë një tufë me pleshta aq mund t’i shohësh të bashkuar dhe shqiptarët. Përçarja, është një pandemi që ka prekur në shekuj shqiptarët dhe që ende nuk ka gjetur shërim deri në ditët e sotme.