Fishta apo Molieri?! I ligu për mend në gjuhën e Bashës

26.01.2017 09:28:00

Në vitet ’20, “I sëmuri për mend” i Molierit u rishkrua nga shkrimtari i madh shqiptar Gjergj Fishta. Ai e adaptoi këtë tekst që e shkroi gegnisht e të cilin ua përshtati ngjarjeve shqiptare, me titullin “I ligu për mend”. Këtë tekst e rimerr regjisori Altin Basha, i ftuar për ta inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me të cilin ka rrënjë të hershme bashkëpunimi.

Në vitet ’20, “I sëmuri për mend” i Molierit u rishkrua nga shkrimtari i madh shqiptar Gjergj Fishta. Ai e adaptoi këtë tekst që e shkroi gegnisht e të cilin ua përshtati ngjarjeve shqiptare, me titullin “I ligu për mend”. Këtë tekst e rimerr regjisori Altin Basha, i ftuar për ta inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me të cilin ka rrënjë të herët bashkëpunimi.

Ka vetëm disa ditë që Basha ka nisur provat e leximit të tekstit me aktorët e Kosovës, ndërsa e ka konsideruar një befasi zbulimin e këtij teksti.

“Teksti është shkruar krejtësisht në një shqipe arkaike dhe kështu për mua ishin dy zbulime në të njëjtën kohë, stili dhe gjuha e përdorur nga Gjergj Fishta për shkrimin e dialogut arkaik, i cili është krejtësisht i pazakontë, dhe ripërpunimi i veprës së Molierit, që gjithashtu është një surprizë”.

Duke vlerësuar mjeshtërinë e Fishtës në përdorimin e shqipes, regjisori ndalet në përshtatjen që i ka bërë tekstit me mentalitetin shkodran të atyre viteve, por paralel duke ruajtur barokun e veçantë të Molierit, ngjyrat e veçanta tekstuale, ndryshimet që iu ka bërë personazheve, të cilët siç dihet janë vetëm meshkuj, vlera që sipas Bashës nga Fishta janë çuar më tej.

“I ligu për mend”, paraqet Shqipërinë me problemet e veta të viteve ‘30, por në fakt ato probleme janë edhe sot. Teksti sjell diskutimet intelektuale apo diskutimet e mëdha sociale të asaj kohe mbi vlerat e shqipes, mbi atë se a duhet ndenjur në Shqipëri apo duhet ikur në perëndim, dhe sigurisht e gjitha kjo e veshur nën paranojën e personazhit kryesor që është Tukja, e që është personazhi i cili bart dramën “I ligu për mend”.

Tashmë regjisori bashkë me aktorët, siç njoftohet nga mediat e Kosovës, janë në javën e tretë të provave dhe padyshim që vështirësi shumë të mëdha ka paraqitur puna me tekstin, dhe sipas regjisorit, kjo ende mbetet një sfidë për të.

“Është një gjuhë jashtëzakonisht interesante, por nga ana tjetër ka vështirësi në interpretimin e saj. Këtë e kemi konsideruar si vlerë dhe po e trajtojmë si vlerë, e për të vazhduar kështu na duhet një punë e madhe”, ka thënë Basha.

Janë gjithsej dhjetë personazhe me aktorë të brezit të ri e të mesëm: Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku. Ky është një ritakim i regjisorit me këta aktorë, pasi ky është projekti i tretë që Altin Basha, e realizon me Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Ka qenë një takim pas shumë vitesh që të punoj me kolegët këtu. Në vitin 2001 kemi pasur një eksperiencë shumë të mirë në TKK, ku kam inskenuar një tekst të Ismail Kadaresë, e që kam punuar me një pjesë të kolegëve që janë në këtë kastë. Në vitin 2009 kam punuar një tekst të një autori polak, ndërsa ky është projekti i tretë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por padyshim një pjesë e madhe e shfaqjeve të mija nga Tirana kanë ardhur në Prishtinë. Secila ka qenë eksperiencë më e mirë se tjetra, por ky është një moment specifik, zbulimi i këtij teksti të Fishtës”, pohoi regjisori Basha.

Për regjisorin Altin Basha, drama shqipe mbetet një diskutim i madh në komunitet, por edhe në opinion, për faktin se a kemi ne dramë shqipe dha a duhet të investojmë në kultivimin e saj. Sipas tij, pikërisht ky tekst e ridëshmon këtë që si shqiptarë kemi akoma shumë vlera të pazbuluara dhe ende mbetet shumë punë për të bërë për t’i zbuluar ato.

“Ky ka qenë një tekst i propozuar nga drejtori artistik i TKK-së, ne kemi mundur të zgjedhim cilindo tekst botëror, por në asnjë moment nuk do të kish marrë vlerën që merr ky tekst për ne”, u shpreh Basha, i cili vazhdoj të thotë se tashmë po bëhet gati kënaqësi në vete puna me këtë tekst, sepse, sipas tij, “tani kemi një rast që nuk shkojmë në teatër vetëm për të parë shfaqje, por shkojmë në teatër për të parë një promovim të gjuhës shqipe”.

“Shpresoj që do ta çojmë deri në fund këtë e ta dërgojmë te publiku ashtu siç është më së miri. Në fillim të muajit shkurt mendojmë të dalim me premierë, kemi ende shumë punë për të bërë, por mendoj që ne kemi synimin që të biem Shkodrën e Marubit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe besoj që ajo frymë do të përcillet në shfaqje”.