Fitore e “çmendur” e Lyon ndaj Monaco

13.10.2017 23:11:55

Lyon e rinis si duhet kampionatin pas pauzës së Kombëtareve, fiton 3-2 ndaj kampionëve të Monaco duke gjetur te Fekir heroin e ndeshjes me një dygolësh të shënuar. Takimi më interesant i javës së 9 në Ligue 1 nuk i zhgënjeu pritshmëritë, duke dhuruar gola, rivalitet dhe një finale për infarkt. Ishte një fillim i cmendur me 4 gola të shënuar brenda pak më shumë se gjysmë ore lojë, me vendasit që gjetën avantazhin që në minutën e 11, kur Fekir gjeti me një kros në shtyllën e dytë Diaz.

Lyoni në avantazh, por skuadra e Jardim u përgjigj pas vetëm 6 minutash, kur Keita gjeti korridorin e duhur për Rony Lopez, që avancoi për të ndëshkuar Lopez. 1-1, por ekuilibri nuk zgjati shumë pasi në minutën e 23, Lyon kaloi sërish në avantazh me Mendy që gjeti në qendër të zonës Fekir që kapi në kundërkohë Subasic. Lyon sërish në avantazh, por Monaco u përgjigj po njëlloj në të 34 me një goditje të bukur të Traore që lëshoi një silurë nga jashtë zonës.

Barazimi mbretëroi deri në fund të kohës së rregullt dhe kur dukej se gjithcka do të përfundonte me këtë rezultat, Lyon gjeti fitoren falë një goditjeje mjeshtërore të Fekir, që i befasoi të gjithë në minutat e shtesës. Festë e cmendur në “Stad Olimpique”, me Lyonin që ia del të gjejë një fitore që e ngjit në zonën e lartë të klasifikimit në kuotën e 16 pikëve, po aq sa Nantes dhe Marseille, ndërkohë që Monaco konfirmon se ka humbur goxha shkëlqimin e fillimit aq të bukur të sezonit./SUPERSPORT.AL/