Fitorja e DPS-it të Milo Gjukanoviqit është në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajon

13.10.2016 16:39:33

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka thënë dy të vërteta që gjithsesi janë shumë të rëndësishme për shqiptarët: humbësit e referendumit të para dhjetë viteve duan ta kthejnë në fitore në zgjedhje, dhe se Mali i Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës. E vërteta e parë ka të bëjë me partitë kryesisht opozitare, sikurse është DEMOS, që seriozisht rrezikojnë fitoren e DPS-it të Milo Gjkanoviqit. Një sonadazh i muajit maj, DPS-in e nxirrte të parën me 45%, por parititë opozitare së bashku arrinin 46%, pra më shumë sesa partia e Gjukanoviqit. Shumica e partive opozitare në Mal të Zi janë angzhuar vazhdimisht për rrëzimin e Milo Gjukanoviqit, edhe si hakmarrje për referndumin për pavarësi, të cilin nuk ia falin. Këto parti nuk ia falin as njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe qasjen plotësisht konstruktive që ka mbajtur Mali i Zi ndaj Kosovës si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Pak ditë më parë, Milo Gjukanoviq, u ishte drejtuar serbëve në Serbi që të pranonin se e kishin humbur Kosovën, e që kishte ngjallur reagime të shumta, sidomos brenda Malit të Zi. Në këtë kontekst, zgjedhjet në Mal të Zi, shihen si një betejë ndërmjet sovranistëve, siç quhen atje, e që përfaqësohen nga DPS-i i Milo Gjukanoviqit, dhe proserbët, që përfaqësohen nga DEMOS-i në krye me Miodrag Lekiq. Në sondazhin e bërë në maj nga Ipsos, DEMOS kishte përqindje të vogël – 15%, por si opozitë e bashkuar arrinin ta kalonin DPS-in. Dhe këtu është gjithë problemi, të cilit i shtohet edhe fakti se në zgjedhjet e fundit presidenciale, Filip Vujanoviq kishte fituar vetëm për disa qindra vota ndaj Miodrag Lekiqit. Po ashtu, trazirat e fundit në Mal të Zi, gjatë të cilave ishte synuar rrëzimi i Gjukanoviqit, kanë bërë që pakontestueshmëria e DPS-it që është në pushtet që prej 25 vitesh, të lëkundet. Përveç problemeve të brendshme, opozita proserbe në Mal të Zi e kishte kritikuar Milo Gjukanoviqin edhe për çështjen e qëndrimit ndaj Kosovës, si dhe ishte keqpërdorur edhe Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Kosovën, përkatësisht kundërshtimet ndaj kësaj marrëveshjeje në Kosovë. Qëndrimi partive oozitare në Kosovë ndaj demarkacionit ka ndikuar në rritjen e popullaritetit të partive proserbe në Mal të Zi, duke e bërë edhe më të vështirë fitoren e DPS-it të Milo Gjukanoviqit. Në gjithë këtë situatë parazgjedhore, ku roli i shqiptarëve është mëse i rëndësishëm, Milo Gjukanoviq ua kujton se është ai që ka njohur pavarësinë e Kosovës, me çka ka dashur të thotë se partitë opozitare nuk do ta kishin njohur, si dhe nuk do të ishin konstruktive sikurse Qeveria që drejton ai. Kjo është shumë e vërtetë, po aq sa është e vërtetë se është po kjo Qeveri që Malin e Zi e ka shkëputur nga ndikimi rus dhe e ka orientuar kah aleanca euro-perëndimore, përkatësisht euro-atlantike, duke e anëtarësuar në NATO. Të gjitha këto, Gjukanoviq i ka bërë edhe pse nga Rusia ka pasur edhe trysni, edhe joshje me miliarda euro për të mos u shkëputur nga ndikimi i Moskës. Me Malin e Zi e drejtuar nga DPS-i, rajoni ka arritur të jetë më stabil, më paqësor dhe më konstruktiv, prandaj edhe fitorja e saj është shumë e rëndësishme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Në këtë kuptim, edhe thirrja që bën Gjuanoviq duhet kuptuar si thirrje për një bashkërendim të partive shqiptare në Mal të Zi me DPS-in, në mënyrë që të mos lejohet të ndodhë fitorja e partive proserbe. Dhe ky është mundësi e mirë për shqiptarët atje të jenë edhe konstruktivë, por edhe të afirmojnë të drejtat e tyre, përkatësisht të ndikojnë që ato të drejta të jenë pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët me DPS-in dhe me ndonjë parti tjetër që do të ishte pjesë e një koalicioni të ri qeverisës në krye me atë parti.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakPërfitimet nga uji i orizit
Artikulli tjetërPse na hapet goja