Fjala Avdullah Hoti sot në Kuvend

20.03.2018 18:02:00

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah  Hoti sot në Kuvend mori fjalën  në lidhje me shënjimin e vijes kufitare.

Fjalimi i plotë i Avdullah Hotit në facebook:

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Avdullah Hoti në seancën e sotme lidhur me Ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi

I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë,

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dua të shprehë kënaqësinë që, më në fund, gati tre vjet pas nënshkrimit, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për ta votuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, me këtë shtet fqinj, shtet mik, anëtar të NATO-s, që ka njohur shtetin e Kosovës qysh në fillim, pa asnjë hezitim.

Për dallim prej herës së kaluar, seanca e sotme, siç po shihet, do të zhvillohet pa gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj Kryeministrit, deputetëve dhe policisë.

Njëri nga ata që nxiste dhunë sot është Kryeministër. Por, ne nuk do ta sulmojmë atë, edhe pse kemi të drejtë morale për ta bërë. Për më tepër, kësaj radhe, si duket, nuk ka plan për të lejuar futjen e gazit në Kuvend.Sidoqoftë, Lidhja Demokratike i gëzohet faktit që Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gaz i botës.

Të nderuar kolegë deputetë,

Ne besojmë se marrëveshja është e drejtë.Përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen në rast se paraqiten fakte të reja. Pra, formohen Trupa të Përbashkëta për të shqyrtuar faktet e reja.

Nëse faktet validohen, atëherë përpilohet marrëveshje e re, dhe shkohet në procedurë të re të ratifikimit. Prandaj, Lidhja Demokratike e ka mbështetur qysh në fillim.
Prandaj, miqtë tanë na kanë mbështetur në këtë proces.

Lidhja Demokratike është parti e themeluar nga Presidenti Rugova. Kauza jonë për shtet të pavarur dhe sovran ka nisur para tri dekadash.
Asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë veprime në dëm të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht a jemi në opozitë apo në pushtet, të cilën gjë nuk mund ta them për disa parti që janë në Kuvend.

Të nderuar deputetë,

Deklarata e Presidentëve, është konfirmim i marrëveshjes, i neneve 7, 9 dhe 11. Ndërkaq, marrëveshja është ajo e vitit 2015. Asnjë shkronjë e asaj marrëveshje nuk ka ndryshuar. Por, rrethanat ka ndryshuar. Dhe më vjen mirë që tani po mbështetet nga një pjesë e opozitës së atëhershme. Megjithatë, qytetarët kanë mbetur të izoluar për tri vite.

Dhe është vënë në pikëpyetje gatishmëria e shtetit të Kosovës ndaj obligimeve ndërkombëtare.

Të nderuar kolegë të Lëvizjes,

Vetëvendosje,edhe ju e dini se ratifikimi i kësaj marrëveshje siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Marrëveshja kontribuon në rritjen e dinamikës të proceseve euro-integruese të Kosovës.Marrëveshja hap rrugë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Në frymën e asaj që thashë më lartë lidhur me nenet 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, unë ju garantoj se ne do të jemi këtu, që bashkë me juve, të sjellim prapë këtë marrëveshje për ratifikim nëse ka fakte të reja. Pa votën e juaj, ratifikimi i kësaj marrëveshje varet nga Lista Serbe.
Prandaj, ju ftoj të na bashkoheni që të shmangim rrezikun e koncesioneve të dhimbshme për Kosovën për të ratifikuar këtë marrëveshje.

Të nderuar kolegë deputetë,

Kur Lidhja Demokratike e përkrahte këtë marrëveshje, Z.Haradinaj përdorte fjalë fyese ndaj Lidhjes Demokratike dhe Kryetarit Mustafa. Nuk do të merrem me to. Ato fyerje le të mbesin në ndërgjegjen e tij.

Por, çfarë duhet të bëjë Z.Haradinaj pas ratifikimit të marrëveshjes?
Unë nuk do t’i referohem zakonit, sepse është i ashpër në këso situata.

Por, me rregullat e demokracisë, pas ratifikimit të marrëveshjes,
• Ai duhet të japë dorëheqje,
• Kuvendi duhet të shpërbëhet,
• Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja,
• Sovrani le të vendos se kush e udhëheq

Kosovën drejt integrimeve evropiane.
Kosovës i duhet një qeveri normale, që punon për qytetarët e jo për politikanët. Kosovës i duhet një qeveri pro-evropiane, civilizuese, me të cilën qytetarët ndihen mirë, të cilën Lidhja Demokratike mund ta sigurojë.

Qeveria e Re do ta kthejë debatin në Kuvendin e Kosovës për jetën e qytetarëve, për shëndetësi, për arsim, për punësim, për bujqësi, për biznes, për njohje të reja, për ushtrinë, për integrimin e komuniteteve, për avancimin e agjendës evropiane. Nuk do të ketë debat për fatin e politikanëve, apo për pagat e tyre, siç kemi parë në këta muaj të qeverisjes fatkeqe për vendin.

Të nderuar deputetë,

Më lejoni që edhe një herë të konfirmoj mbështetjen unanime të deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike për këtë marrëveshje. Të konfirmoj gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve, e cila bazuar në këtë marrëveshje, shpreh vullnetin e dy shteteve, që në mirëbesim, të adresojnë kontestet eventuale.

Na vjen mirë që koalicioni qeverisës, përfshirë edhe partinë e Kryeministrit, është pajtuar që i gjithë dokumentacioni zyrtarë i Komisionit Shtetëror, i aprovuar në Qeverinë e Kosovës në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, të jetë në dispozicion VETËM për orientim të deputetëve.

T’i lëmë deputetët, që duke pasur parasysh të gjitha argumentet në këtë dokumentacion, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.

Unë ju ftoj që të tejkalojmë dallimet dhe të shohim interesin e qytetarëve.

Faleminderit për vëmendjen