Fjalët e Hashim Thaçit pas takimit me Biden

17.08.2016 16:23:29

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë se me ndihmën e partnerëve tanë është duke u punuar që Kosova të bëhet shembull i një shteti, ku respektohen të drejtat njerëzore dhe ku sundon rendi e ligji.

Ai ka thënë se është duke u punuar shumë që të rinjtë tanë të kenë më shumë mundësi për punë dhe mirëqenie.

“Po punojmë që talenteve tanë t’u japim mundësi ta dëshmojnë veten e tyre. Sa herë që ata e kanë pasur një mundësi të tillë, ata kanë shkëlqyer”, është shprehur presidenti Thaçi.

Në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin Biden, presidenti Thaçi ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidat që kemi, mirëpo Kosovën do ta mbajmë në rrugën e sigurt të integrimit të saj euroatlantik.

Ndërsa, për demarkacionin me Malin e Zi dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se pa kalimin e demarkacionit dhe pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota.

Kjo është deklarata e presidentit Thaçi në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden:

I nderuari zëvendëspresident Biden,

Të nderuar miq,Të dashur qytetarë të Kosovës,Zonja dhe zotërinj,

Sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

20 vite më parë, kur qytetarët e Kosovës po luftonin për ekzistencë, kur po përballeshim me kërcënimin e shfarosjes nga ushtria serbe, në atë periudhë kritike, jo rastësisht, SHBA-të dhe konkretisht senatori Biden u bë zëri ynë.

U bë shpresa jonë!

U bë zëri dhe shpresa e qytetarëve të Kosovës që kërkonin një gjë fondamentale njësoj sikur të gjithë popujt e botës: të ishin të barabartë, të lirë dhe të pavarur.

I nderuar zëvendëspresident,

Është ndër i madh për mua që si president t’iu uroj sërish mirëseardhje në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Për mua, por mbi të gjitha për Kosovën dhe qytetarët e saj, është ndër i madh që ju vizitoni shtetin tonë të pavarur për herë të dytë.

Kosova e sotme është shumë më ndryshe nga Kosova për të cilën luftonim 20 vite më parë.

Kosova jonë, sot është e pavarur, sovrane, e njohur nga 112 vende anekënd botës.

Jemi bërë anëtarë të shumë organizatave ndërkombëtare dhe jemi në rrugë të sigurt për tu bërë anëtare e NATO-s, BE-së dhe një ditë patjetër edhe e OKB-së.

Kosova si shtet i pavarur dhe sovran e ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Për më tepër, ne kemi shënuar hapa të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ne kemi arritur marrëveshjen historike të prillit 2013 dhe kemi vendosur bazën e fortë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Por, koha po ikën shpejt dhe ne e kemi për detyrë që t’i japim dinamikë të re këtij dialogu dhe sa më shpejt të arrijmë deri të pajtimi i mundshëm dhe i domosdoshëm ndërmjet dy popujve tanë dhe dy shteteve të pavarura.

Pajtimi është i mundshëm dhe do të ndodhë.

Për Kosovën, kultivimi i fqinjësisë së mirë është interes strategjik dhe dialogu është rruga e vetme përpara.

Deri më tani jemi munduar që të tregohemi konstruktiv dhe këtë frymë do të kultivojmë.

Në kontekst të fqinjësisë të mirë, me lejoni t’iu sigurojë se edhe çështja e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi do të përmbyllet shpejtë në përputhje me interesin tonë shtetëror.

Ky vendim, do të forcojë shtetësinë tonë, do të hapë perspektiven e sigurt të integrimit euroatlantik dhe do t’i japë fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen.

Dua të jem shumë i hapur para qytetarëve të Kosovës.

Pa kalimin e demarkacionit dhe pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota. E lënë anash edhe nga SHBA-të.

I nderuar zëvendëspresident,

Unë dhe qytetarët e Kosovës nuk do të harrojmë të kaluarën, por asnjëherë nuk do të mbetemi peng i saj!

Ne do të punojmë për pajtim, paqe dhe integrim euroatlantik të Kosovës dhe tërë rajonit.

Bota sot po përballet me sfida që nuk njohin kufij.

Terrorizmi dhe radikalizmi kanë prekur edhe pjesën tonë të kontinentit.

Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet aleate e juaj e përkushtuar në luftimin e këtyre dukurive.

Sepse, para së gjithash, qytetarët tanë janë të përcaktuar për një republikë sekulare dhe për tolerancë ndërfetare.

Prandaj, unë iu siguroj JU dhe SHBA-të se mund të llogarisni në ndihmën e parezervë të Kosovës në adresimin e këtyre sfidave dhe kërcënimeve të përbashkëta.

I nderuar zëvendëspresident,

Shumë afër rrugës, e cila me krenari do të bartë emrin e Bo Biden është qyteti i Ferizajt, ku xhamia, kisha katolike dhe kisha ortodokse, në harmoni ndajnë një oborr.

Këto vlera nuk do të lejojmë të na i cenojë askush.

Sigurisht, kemi ende shumë sfida.

Duhet të punojmë shumë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, ne nuk jemi duke heshtur në këtë drejtim. Përkundrazi, me ndihmën e partnerëve tanë jemi duke punuar shumë që Kosova të bëhet shembull i një shteti, ku respektohen të drejtat njerëzore dhe ku sundon rendi dhe ligji.

Jemi duke punuar shumë që të rinjtë tanë të kenë më shumë mundësi për punë dhe mirëqenie.Po punojmë që talenteve tanë t’u japim mundësi ta dëshmojnë veten e tyre. Sa herë që ata e kanë pasur një mundësi të tillë, ata kanë shkëlqyer.Kanë shkëlqyer ashtu siç shkëlqeu vajza jonë e artë, Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike në Rio.Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që kemi para nesh dhe zotohem që bashkërisht do t’i tejkalojmë ato. Kosovën do ta mbajmë në rrugën e sigurt të integrimit të saj euroatlantik.

Prandaj, duke ju falënderuar në emër të qytetarëve të Kosovës për të cilët ju personalisht keni bërë shumë, me lejoni ta përfundoj deklaratën time.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur.