Fjalimet politike të Kodhelit në Ushtri, duhen ndaluar

18.03.2017 11:06:58

Nga Azem Parllaku

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në përcjelljen e kontigjentit të Forcës Detare në detin Egje, me datë 17 mars, i është drejtuar marinarëve të anijes Oriku, sikur këta ushtarakë të ishin militantë të devotshëm rilindas. Në fakt ekuilazhi i detarëve ushtarakë është pjesë e grupit “Standing NATO Maritime Group 2”, mision i Aleancës në detin Egje, si përpjekje e përbashkët për të penguar trafiqet e paligjshme drejt kontinentit europian. Kodheli duhet t’a ketë të qartë, nëse jo dikush duhet t’ia thotë se; Në Republikën e Shqipërisë ekziston që nga viti 1991 Ligji nr. 7492, dt. 8 qershor 1991, “Për departizimin dhe depolitizimin e disa organeve shtetërore”. Sipas këtij ligji ndalohet propaganda politike, ndër të tjera edhe në Forcat e Armatosura. Përpara ushtarakëve në një bazë ushtarake, e shoqëruar nga gjeneralët e saj Ministrja nuk bën tjetër, veçse polemikën politike të ditës me opozitën. “Muaji mars sjell gjithnjë kujtime të hidhura për të gjithë ne, e në mënyrë të veçantë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e një individi. I cili urdhëroi makabritete që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij”, u thotë Kodheli ushtarakëve shqiptarë. Në fakt askush nga ata që ishin në qeveri, por askush edhe prej shokëve të Kodhelit në opozitën e atëherëshme nuk u ndëshkua edhe pse, opozitarët u shquan në sulmin ndaj objekteve dhe kazermave ushtarake të kohës. “E prapë, në marsin e 2008, po e njëjta klikë përmes abuzimit me pushtetin dhe me pasuritë publike, hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, qindra të plagosur e prona private të shkatërruara. Nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak i Forcave të Armatosura. Nga parimi i tyre i përhershëm se familja është mbi shoqërinë, individi mbi vlerat sociale. Vranë, vodhën dhe gënjyen. Edhe u fshehën pas proçedurës. I kemi sot mes nesh, të lirë”, thotë Kodheli, teksa harron bëmat e paraardhësve të saj socialistë, të cilët shitën dhe shkrinë për skrap të gjithë arsenalin luftarak dhe pjesën dërrmuese të logjistikës së Forcave të Armatosura. Ministres dikush duhet t’ia kujtojë se kontratat për demontimin e municioneve luftarake dhe shitjen e armëve, mbajnë firmën e kolegëve të saj, dje socialistë, sot rilindas. “Janë po këta njerëz që sot, të angazhuar me të gjithë forcat, pengojnë reformën në drejtësi, kushtin e vetëm për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian. Pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane. A e ka menduar njeri pse kemi vendosur të nisim kontigjente ushtarake kudo nëpër botë? Nga Afganistani në Letoni, nga Çadi në Irak? Pse angazhohemi në misionet e NATO dhe BE në Bosnje, Kosovë apo në Detin Egje? Mos vallë për statistika, apo për koleksionim vulash në pasaportë? Jo të nderuar ushtarakë. Kjo qeveri është e vendosur ta bëjë Shqipërinë anëtare dinjitoze të komunitetit euro-atlantik”, u kujton ushtarakëve Kodheli, duke harruar që një pjesë e tyre i përkasin korpusit të profesionistëve, që prej shumë vitesh kanë punuar, pa u shqetësuar nga politika për t’iu afruar disa prej standarteve të Aleancës Ushtarake Euro-Atlantike. Antarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë një proçes i gjatë, e për këtë meritë kanë në radhë të parë shqiptarët, më pas politikanët qeveritarët e opozitarët së bashku. “Reforma në drejtësi merr rëndësi parësore për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të vendosur sundimin e ligjit në gjithçka që lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo do të jetë edhe një mjet efikas në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Reforma në drejtësi do t’i shërbejë ecurisë se reformave në fusha të tjera, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe shoqërore, pasi, forcimi i shtetit ligjor është një nga shtyllat kryesore të demokracisë”, e vazhdon fjalimin politik të saj Kodheli. Fjalimet politike të Ministres së Mbrojtjes para ushtarakëve dhe në garnizonit ushtarake kanë një qëllim të saktë, atë të vetëdijësimit të trupës ushtarake se ajo është edhe ushtarake edhe politike, që sipas kreut të mbrojtjes duhet të jetë edhe në shërbim të pushtetit politik të sotëm. Ushtarakët të cilët Kodheli i përdor si auditor i fjalimeve politike të saj, janë qytetarët nën uniformë të Republikës së Shqipërisë, të cilët ligjërisht janë të departizuar, e ligjërisht duhet të ndëshkohen nëse bëhen pjesmarrës të tubimeve politike. Përtej pozitivitetit të shënuar në ecurinë e Forcave të Armatosura, prezencës së tyre në NATO dhe misionet e saj për llogari të sigurisë dhe paqes, ka ende sfida për t’u kapërcyer, për të cilat ushtarakët janë të interesuar që Ministrja e tyre t’i ketë në vëmendje: Ka mjaftueshëm qasje që janë prezente, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me personelin, burimet tjera të fushës së mbrojtjes, si strukturat, sistemet, pajisjet, armatimi, teknika, pronat, shërbimet e përkujdesjes për ushtarakët siç janë pagat, uniforma, trajtimi me strehim, përkujdesja shëndetësore, stërvitja, arsimimi, etj.