Flamur Beqiri për PAN-in: I ke apo nuk i ke numrat?!

11.08.2017 17:33:08

I ke apo nuk i ke numrat!? Duket se thënja e princit Hamlet, të Shakespearit “To be, or not to be, …” i përshtatet më së shumti gjendjes në të cilën gjendet PAN-i! Kjo për faktin se një gjendje e tillë nuk “përkufizohet” vetëm si dëshpëruese, për PAN-in, por dështimi në krijimin e Institucioneve ka edhe implikime partiake për pjesëtarët e PAN-it, veçanarisht për PDK dhe AAK në një masë, ndërsa jo edhe për NISMA!

Tashmë, është shumë e qartë se rrëzimi i Qeverisë Mustafa ishte një akt i ngutshëm dhe i kalkuluar keq nga ana e PDK-së dhe se trendet pozitive të qeverisë Mustafa dhe shkuarja në zgjedhje, në afate të rregullta kohore, PDK-së i garantonte një pozicionim më të mirë, se ky i tanishmi, e ndoshta edhe një mandat në bashkëqeverisje me LDK!

Në këtë fazë ndërrimi i liderit të PDK-s, domosdoshmërisht kërkonte një qasje të tillë dhe se matja në zgjedhje dhe fitorja e garantuar, bazuar në sondazhe të porositura, siguronin një pozicionim të fortë të liderit të ri, karshi elektoratit të vet!

Aleanca në mes të LDK, AKR dhe Alternativa ishte sfida e parë e liderit të ri dhe reagimi i tij, i ngutshëm, duke i dhënë kryeministrin AAK dhe gjysmën e listës aleatëve të tjerë duket se shkaktoj pakënaqësi tek elektorati, i cili e ndëshkoi me votë. Nuk është i rastit numri votave për partitë Serbe në një vend pa as edhe një banor Serb! Në këtë fazë, krijimi i Qeverisë me parti politike të komunitetit Serb, si grup themeltarë, tregojnë sjellje dëshpëruese të PDK-së.

Po ashtu tentativat për joshje të anëtarëve të partive tjera politike devalvuan deri në masën e shkuarjes edhe nëpër dasma, të paftuar, vetëm me qëllim të sigurimit të numrave dhe se kjo gjendje përkon me thënjen, Të jesh apo të mos jesh! Për AAK dhe liderin e saj, aleanca me PDK, ishte një rast i jashtëzakonshëm ndoshta edhe unik për arritjen e synimit disavjeçar, sigurimit të pozitës së kryeministrit!

Edhe pse, kushtimisht, me gjithë krahun e luftës në krah dhe të pakënaqurve të LDK-s, nuk e ka arritur numrin e dëshiruar të votave, duket se është hera e fundit, në një format të tillë, e cila i mundësonte tē bërit kryeministërl!

Tentativat për afrim me AKR-në, me gjithë ofendimet e ndërsjella gjatë fushatës zgjedhore dhe keqpërdorimin e familjes Rugova dhe filozofisë Rugoviane, po ashtu e paraqesin një gjendje të tipit, të jesh apo të mos jesh! Në anën tjetër, shihet qartë se NISMA, ka përfituar shumë si pjesë e PAN-it dhe se pozicionimi rrebelues brenda kësaj strukture ka derivuar suksesshëm në rezultat dhe rrjedhimisht në numra! Edhe tani, kur dy aleatët e saj lëvizin çdo gurë për bërjen e numrave, NISMA është e kujdesshme në lëvizje dhe vështron situatën!

Në këtë rast, PAN me qëllim të kapërcimit të kësaj situate do të duhej të nominonte dikë nga NISMA për Kryetar Kuvendi, ndërsa votën për kryeministër do të duhej kërkuar tek të gjithë ata të cilët rrëzuan qeverinë Mustafa, përfshirë edhe VV!