Flamur Beqiri: Shtatorja e Bill Clintonit, në mes të Prishtinës, në terr dhe papastërti

25.09.2017 09:56:04

Banorët e Prishtinës, respektivisht banorët e lagjës Dardania të Prishtinës janë të nderuar dhe privilegjuar se në njërin prej shesheve të lagjës së tyre është e vendosur shtatorja e presidentit Bill Clinton!

Por, janë të indinjuar më mosmirëmbajtjen e kësaj shtatoreje nga Komuna e Prishtinës! Dritat pranë shtatores nuk funksionojnë, dhe në fakt, në mungesë të dritave, natën, shtatorja nuk shihet, minibazeni është i mbushur me mbeturina në vend se të ishte i mbushur me ujë, pllakat dekoruese të bazenit janë të dëmtuara, ndërsa pastrimi i shtatores bëhet vetëm nga një i moshuar vullnetmirë dhe nga shiu! Ne fakt mos mirëmbajtja e kësaj shtatoreje dhe mini-parkut për’rreth shtatores është ofendim për banorët e lagjes Dardania në veçanti dhe ofendim për qytetarët e Prishtinës, respektivisht Kosovës! Kjo mospërfillje është e pafalshme për faktin se simbolika e kësaj shtatoreje i tejkalon përmasat e lagjes Dardania dhe qytetit të Prishtinës! Apo, ndoshta, për Komunën e Prishtinës, kjo shtatore simbolizon revizionizmin dhe imperializmin Amerikan dhe si e tillë nuk e meriton vëmendjen e tyre! Në fakt nuk është vetëm shtatorja e Presidentit Bill Clinton e cila nuk mirëmbahet nga Komuna e Prishtinës! Bazamenti i shtatorës së Presidentit Ibrahim Rugova, tash e sa kohë është i dëmtuar! Shkronjat e shtatores së Gjergj Kastriotit, së fundi, janë riparuar nga një grup i të rinjëve e jo nga shërbimi përkatës i Komunës! Bazeni i shtatorës së Shën Terezës është i mbushur me mbeturina dhe po ashtu, fontanat pranë shtatores së luftëtarit të lirisë, Zahir Pajaziti nuk funksionojnë dhe janë të mbushura me mbeturina! Moskujdesi ndaj shtatoreve në një formë ose tjetrën të bënë të besosh se institucionet përgjegjëse i mohojnë ose përçmojnë vlerat e së kaluarës, për faktin se, ky moskujdes, nuk i vlerëson këto peronalitete me të cilat identifikohet një shoqëri e që mund të jenë tepër të rëndësishme për të kuptuar të kaluarën e të tashmen e një populli, në këtë rast historinë e popullit Shqiptar, respektivisht respektin për miq përmes nderimit të personaliteteve respektive! Të këtillët duhet të lëshojnë udhë!