Flamur Shala: Zyrat komunale në Prishtinë, “Vetëvendosje” i ka kthyer në zyra politike të saj

30.08.2016 11:55:15

Një nga asambleistët më aktivë të LDK-së në Asamblenë komunale të Prishtinës, Flamur Shala ka përshkruar gjendjen në qeverisjen e Prishtinës nga “Vetëvendosje”. Në një postim në facebook, z. Shala që në fillim shpreh çështjen e funksionit të kësaj qeverisjeje në raport me qytetarët, pasi që sipas tij “nuk dihet kujt i shërbejnë këta të zgjedhur, kujt po i kryejnë shërbime, zyrave të VV, dikujt tjetër, apo qytetarëve të Prishtinës, atyre që iu premtuan shumë”. Z. Shala, këtë reagim të tijin e lidh me faktin se “Vetëvendosje” e përdor komunën “për ta marrë me dhunë pushtetin nga kryeqyteti”, dhe për të fshehru “dështimet e paripariueshme në Prishtinë të kësaj udhëheqësie”.

Ky është postimi i plotë i z. Flamur Shala:

Tani sikur nuk po dihet kush udhëheq me Prishtinën, nuk po dihet kujt i shërbejnë këta të zgjedhur, kujt po i kryejnë shërbime, zyrave të VV, dikujt tjetër, apo qytetarëve të Prishtinës, atyre që iu premtuan shumë!
Dështimet e pariparueshme në Prishtinë të kësaj udhëheqësie, në një anë, dhe bërja pjesë e zyrave politike me maska e mollotovë në to, në anën tjetër, nuk mund t’i fshehë as mbulojë asnjë kryetar a nënkryetar.
Përpjekja për t’i vënë maskat në kokë, për t’i kthyer mollotovët në rrugë, përpjekja për ta marrë me dhunë pushtetin nga kryeqyteti, është dhe do të jetë e papranueshme, sot e gjithë ditën.
Nuk mund ta fshehë udhëheqjen e çoroditur tash e tri vjet në Prishtinë, asnjë paraqitje në emër të asnjë “kauze”. 7 drejtorë të dorëhequr a të përjashtuar nga funksionet e tyre ekzekutive, 15 milionë të humbur dhe mbi 30 milionë të bartur nga viti në vit, nuk kanë të bëjnë me asnjë politikë a “kauzë”, përveç nxitjes dhe përpjekjeve për mashtrim, dështimit total në qeverisjen e kryeqytetit.