Flamuri kombëtar, vlerë apo leckë për pazare politike?!

03.09.2017 14:25:49

Nga: Flamur Beqiri

Që nga epoka e Skënderbeut, flamuri kombëtar shqiptar, në fillim stemë e familjes Kastrioti e më pastaj simbol i unitetit, duke përfaqësuar historinë, krenarinë, kulturën dhe traditën shqiptare, na ka bërë të ndihemi të fortë me të në çdo betejë! Që nga kuvendi i fisnikëve Shqiptarë të cilët u mblodhën në Lezhë, me 2 Mars të vitit 1444, në të gjitha betejat e Gjergj Kastriotit, pastaj në shumicën e kryengritjeve antiosmane e deri në shpalljen e pavarsisë, flamuri kombëtar shqiptar ishte aty.

Përdorimi i flamurit shqiptar në ishJugosllavi ka qenë i lidhur ngusht me klimën politike të asokohëshme dhe në shumicën e rasteve ndalohej e shumë rrallë lejohej! Flamuri shqiptar, për interesa politike, është përdorur edhe gjatë luftës së dytë botërore, deri sa ishte ndaluar pas lufte deri në rënjen e Rankoviqit. Në këto kushte, edhe pse i ndaluar, shqiptarët i kishin kënduar flamurit, e kanë mbajtur në ballë të oxhakut nëpër oda, e kanë mbajtur në xhep e shokë, e kanë gravuar në kuti duhani, e kanë gdhendur e latuar në gurë dhe në murë e djepa të fëmijëve.

Në Nëntor të vitit 1968, në Kosovë po demonstrohej për herë të parë pas luftës së dytë botërore me kërkesën që Kosova ta kishte statusin juridiko-kushtetues të republikës së shtatë në Jugosllavi, edhe këtu, flamuri kombëtar shqiptar valonte në duart e demostruesve!

Flamuri shqiptar në periudha të ndryshme, nën ndikime ideologjike, kishte pësuar ndryshime në pamje, me yllin e kuq, herë mbi e herë anash shqiponje por në themel, shqiponja e zezë dhe ngjyra e kuqe mbetën të njejta! Në periudhën e luftës për liri dhe pavarsi të Kosovës, në të gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara, flamuri shqiptar ishte në ballë ndërsa luftëtarët e lirisë betoheshin para flamurit kombëtar shqiptar!

Në perspektivë, me zhvillimet e reja politike, në Kosovë, shfaqej nevoja për krijimin e një flamuri të ri për Kosovën shtet i pavarur. Ishte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova i cili kishte parashikuar nevojën për flamur të ri për Kosovën dhe që në vitin 1992 e publikoi Flamurin e Dardanisë, ndërsa kërkesën për flamur shtetëror të Republikës së Kosovës e zyrtarizoi në vitin 2001.

Flamuri i Dardanisë, në themel ishte flamur me të gjitha elementet shqiptare, shqiponjës së zezë dykrenare dhe sfondit të kuq i ishte shtuar ylli i Skënderbeut dhe baneri i bardhë simbol i plisit! Reagimet e qytetarëve shqiptarë ishin nga më të ndryshmet! Deri sa një numër i madh i tyre e pranoi me dashamirësi, për çudi, pjesëtarë nga shoqatat e dalura nga lufta e djegën atë publikisht në rrugët e Prishtinës!!! Në vazhdën e përmbylljes së pavarsisë së Kosovës përveq konstituimit të Kushtetutës domosdoshmërisht kërkoheshin edhe simbolet e reja identifikuese, respektivisht shtetit të Kosovës i duhej flamurin e ri! Flamuri i ri i Kosovës, i shfaqur publikisht për herë të parë me rastin shpalljes së pavarsisë së Kosovës, me ngjyra, verdh e kaltër, me hartën e Kosovës dhe yjet mbi, nuk kishte as edhe një element shqiptar!

Për fat të mirë Flamuri Dardan është në vulën e Presidentit të Kosovës dhe sot përdoret zyrtarisht nga presidenca e Kosovës! Të gjithë ne duhet të respektojmë simbolet e reja të shtetësisë së Kosovës por, të gjithë duhet ta dinë, jemi të lidhur për shpirt e me zemër me flamurin kombëtar shqiptar dhe se nuk do të lejojmë tentativat për pronësi të ketij flamuri për interesa private politike nga asnjë grup politik, e as atyre të cilët me flamuj të vendosur në jakat e xhaketave të tyre i shiten opinionit si parti politike konservative shqiptare, ndërsa model të organizimit politik e kanë dreqin e t’birin dhe lidhin aleanca me të gjithë ata të cilët gjuhën shqipe e kanë ndaluar me dekret dhe mohojnë kombin dhe Flamurin Shqiptar!