Flet mjeku që e operoi ish presidentin Fatmir Sejdiu, kjo është gjendja e tij

05.10.2017 14:41:47

Presidenti Sejdiu një ditë më parë ka kërkuar ndihmë mjekësore pas disa shtrëngimeve në zemër që kishte pasur.

Dhembjet në gjoks, shtrëngimet, e plogështia, ishin simptomat të cilat kanë bërë që ish- Presidentit, Sejdiu t’i kryhet një ndërhyrje kirurgjike, të mërkurën, në sallat e Spitalit Amerikan në Prishtinë.

Gazeta Express, ka qenë në repartin ku gjendet ish – presidenti.

Detaje rreth operimit ka dhënë mjeku kryesor i cili e ka bërë operimin e Fatmir Sejdiut.

 

Doktori, i Kirurgjisë Kardio-Torakale në Spitalin Amerikan, Besnik Kojiçiçi, thotë për Express, se operacioni ka shkuar mirë dhe se gjendja e ish Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është stabile.

“Zoti Sejdiu ka pasur një sëmundje koronare me ato shqetësimet që i ka secili pacient me sëmundje të tilla. Dhembje në gjoks, shtrëngime, plogështi. Është bërë diagnostikimi me sëmundje koronare dhe intervenimin  e kemi bërë dje”, ka thënë ai.

Tutje doktor, Kojiçiçi tregon se Sejdiut i janë vënë disa disa “by-passa”.

“Pa probleme i kemi bërë “by-pass”, është ekstubu. Tash është mirë, sot ka lëvizë, ka ec, gjendja e tij është e mirë. Deri tash unë si operues, jam i kënaqur me ecurinë e operacionit. Për momentin është në animacion duke qëndruar”, shpjegon tutje doktori që e ka operuar ish presidentin Sejdiu.

E ndërkohë Fatmir Sejdiu, do të qëndrojë një javë në klinikën e Kardiologjisë në Spitalin Amerikan.

Ish –Presidenti Sejdiu ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke ardhur në krye të saj në vitin 2006.

Nga pozicioni i Presidentit të Kosovës, Sejdiu kishte udhëhequr bisedimet për statusin në Vjenë, të cilat janë zhvilluar me palën serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, e që në vitin 2008 kishin rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.