Fletëz ditari e shkruar para 20 vitesh

25.09.2018 23:59:27

Nga Izet Abdyli

25 shtator 1998

Dita e premte e 25 shtatorit po shpaloste peizazhin e trishtë të fshatit Gradicë. Tym e flake dilte nga shtëpitë e djegura, gjithçka ishte bërë shkrumb e hi, në luginën pranë Gurit të Nabadit që i thonë vendasit, ndanë udhës shtrihen trupat e pajetë të tre vëllezërve, bijë të Rexhep Hotit nga Morina, nipit të tij dhe një tjetri nga lagja Saliuku të Gradicës.  Tërë
egërsia dhe sadizmi antinjerëzor ishte derdhur mbi trupat e tyre, pos masakrimeve me prerje të kokës, nxjerrje sysh, prerje në gjoks, sikur të mos u mjaftonte kjo, në fund të
zhveshur në bel e lart ishin goditur edhe me plumba.  Së bashku me Mehdi Bardhin e vizituam familjet e viktimave dhe ato të dëmtuara, duke i ngushëlluar se edhe kësaj barbarie do t’i vijë fundi. Tërë shizofrenia e tyre e derdhur gjatë tri ditëve kishte krijuar skena makabre, të cilat nuk i përthekon dot mendja e njeriut. Shtëpi të djegura e të rrënuara, orendi të përmbysura, kafshë të vrara, hambare të djegura, varreza të shkelura me tanke, fotografi të përdhosura, miell e bukë të hedhur në tokë, me një fjalë gjithçka e bërë rrëmujë. Kjo më shtyri të meditojë për frazat e politikanëve ndërkombëtarë se këtu nuk do të lejohet përsëritja e Bosnjës, o Zot, këtu ka ndodhur diçka më e madhe se Bosnja, se Srebrenica. Ka ndodhur masakra e Drenicës që s’ka ndodhur askund në botë.
Ndërkohë, bëra përpjekje të gjej ndonjë telefon celular që ta përcjelli ndonjë informacion, por nuk arrita ta bëjë këtë. Derisa po bëhesha gati të shkojë në Gllanasellë, ku morëm
vesh se janë strehuar fëmijët tanë, ndërkohë kishte ardhur djali i axhës, Imeri, i cili kishte treguar se ata janë shëndosh e mirë. Mirëpo, ajo që më shqetësoi së tepërmi ishte fakti se
të masakruarit dhe të vrarit e familjes Hoti nga Morina ishin bërë në prezencë të fëmijëve tanë në distancë jo më larg se 50 metra. Një episod tjetër i asaj dite ishte vënia e kushëririt Arbenit para pushkatimit, i cili në momentin kur komandanti serb kishte drejtuar armën drejt tij për ta ekzekutuar, kishte kërcyer nga guri që kishte një lartësi prej 25 metrave dhe kishte shpëtuar gjallë, kurse kushëririt Limanit, pasi ia kishin plaçkitur 600 DM, i kishin dhënë një breshëri plumbash mbi kokë dhe një pranë këmbëve dhe pastaj e kishin liruar. Ndërkohë, mësojmë se numri i të vrarëve është më i madh,
andaj vendosëm që varrimi të bëhet ditën e nesërme me 26 shtator.