Fletëz ditari para 20 viteve

26.09.2018 09:41:05

Nga Izet Abdyli

26 shtator 1998

Dita e sotme po shpaloste peizazhin e trishtë të fshatit Gradicë. Shtëpi të djegura e të rrënuara, kafshë të ngordhura që kundërmonin erë të rëndë. Njerëz më fytyra të ngrysura, që qëndronin pranë shtëpive të djegura, pa pasur mundësi ku ta fusin kokën. Gjithsecili prej tyre rrëfen në mënyrën e vet golgotën e përjetuar gjatë sulmeve serbe, rrëfimet vërtet janë rrëqethëse, trishtuese. Por, mbi të gjitha rëndon dhembja e pikëllimi për masakrën në vendin që vendasit e quajnë Guri I Nabadit. Në afërsi të gurit ende qëndrojnë rrobat e të vrarëve.
Pesë varreve të hapura duhet t’u shtohen edhe pesë varre tjera, ngase tani mësojmë se akoma ka kufoma në bjeshkët e Çiçavicës. Më në fund, pas shumë peripecive, arrij ta gjej një telefon celular dhe ia përcjella informacionin e pare Televizionit(9 Informacionin ia përcolla, nëpërmjet telefonit, redaksisë së RTP-së në Prishtinë, gazetarit Mehmet HaziriT)
9 për tërë atë që ka ndodhur në këtë pjesë të Drenicës. Mbase ky ka qenë raporti më i vështirë që kam dhënë, prandaj edhe zëri im ishte plot drithërima për faktin që raportoja për njerëz që tashmë s’ishin në jetë. Përmbajtjen e raportit po e jap tekstualisht:

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
Që nga 22 shtatori, kur forcat policore ushtarake serbe sulmuan fshatrat e rajonit të Çiçavicës, si: Çikatoven e Vjetër, Dobroshevcin, Gllanasellën, Godancin, Gradicën, Likoshanin etj, egërsia dhe barbaria serbe është manifestuar me metodat mesjetare, duke djegur, plaçkitur, shkatërruar çdo gjë. Skenat vërtet janë trishtuese. Dhjetëra njerëz të vrarë e të masakruar, shtëpi të djegura e të rrënuara, kafshë të vrara, vetura e traktorë
të djegur, gra, fëmijë e pleq të sëmurë, pa ushqim e veshmbathje, në male, duke fjetur nën qiellin e hapur. Dëmtime dhe përdhosje të varrezave, vrasje e masakra në prezencë të fëmijëve e grave, arrestime të panumërta, dhjetëra viktima ende të paidentifikuara, në mesin e tyre edhe foshnje të vrara e njerëz të hedhur në puse. Prandaj, duke parë këto skena trishtuese, sinonimet e deritashme për masakrat serbe në Kosovë se këtu
ka ndodhur Srebrenica, Vukovari e Bosnja më nuk mund të përdoren si krahasim për Drenicën, pasi që këtu ka ndodhur diç më e tmerrshme, andaj lirisht mund të thuhet se këtu ka ndodhur masakra e Drenicës, si askund në botë. Pason lista e të vrarëve dhe arrestuarve në Gradicë e fshatra përreth: Sefer Hoti 51 vjeç, Rrustem Hoti 37 vjeç, Naim Hoti 23 vjeç (vëllezër) dhe Enver Sefer Hoti 19 vjeç nga fshati Morinë, Mehmet Azem Saliuku 23 vjeç, Gradicë, Xhevat Berisha 40 vjeç Gllanasellë, Fidan Jetullah Beka 17 vjeç Likovc, Vesel Fazliu 40,
Lec Ukaj 42, dhe Skender E. Bardiqi 45 vjeç, Gradicë; Miftar Kurrumeli 56, Hamit Lladrovci 75, Fehmi
Lladrovci 42 (10 Fehmi Lladrovci, komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, i cili ra heroikisht me bashkëshorten Xhevën, bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zekaj.) , Xheva Lladrovci 40, Bashkim A. Krasniqi 23, Shaqir Krasniqi 16, Fiza Llugani 50 nga Gllanasella, Hajdar Smajli 97, Hamit Sheqa 90, Selim Miftari 78, Brahim Avdulli 60 nga Likoshani, Rrustem Karaxha 48, Skender Karaxha 29 dhe Behxhet Karaxha 28, Çikatovë e Vjetër, Nexhmedin Hoxha Bequk, një fëmijë pesëmuajsh nga Dashevci, një plak nga Rezalla, Adem Lushtaku, Prekaz I Ulët, Mahmut Xhemajlaj Abri e Epërme dhe një grua nga Hamidia dhe Hasan Maloku 68 nga Dobroshevci. Ndërsa, të arrestuar janë Tafil Miftari e Halil Miftari Likoshan, Bajram T. Avdyli e Fatmir Shishani Dobroshevc. Duke vërejtur emocionet e mia gjatë raportimit gazetari Mehmet Haziri më porosit që edhe njëherë të gjej forcë dhe ta përsëris raportin që ta regjistrojë në magnetofon, mirëpo me gjithë përpjekjet për ta marrë në telefon, nuk arrita ta bëj këtë. Në orët e pasdites u krye ceremonia e varrimit të 5 të vrarëve te Guri i Nabadit dhe dy të tjerëve, ku mua më ngarkojnë të mbajë një fjalim mortor. Fjalët peshonin më rëndë se plumbi, megjithatë përmblodha veten, duke u munduar të përmbahem nga emocionet, pasi dhashë të dhënat biografike të të vrarëve që kisha arritur t’i mbledhja nga
familjarët e tyre. Fjalimin e përfundova me fjalët qofshin viktimat e fundit të kësaj lufte. Gjatë ceremonisë së varrimit bëra edhe ca fotografi nga një aparat që kisha huazuar nga një djalosh i Terstenikut (emri s’më kujtohet), u nisa drejt Gllanasellës me qëllim që t’i vizitoj fëmijët dhe të mësoj diç për fatin e babait dhe vëllait me familje. Gjatë këtij rrugëtimi, afër Likoshanit takova ca pjesëtarë të UÇK-së, të cilët më pyetën nëse ishin tërhequr policia serbe nga shkolla e Dobroshevcit, pasi që u interesonte tërheqja e kufomës së komandantit të Brigadës 114, Fehmi Lladrovcit, i cili ishte vrarë ditën e parë të ofensivës me 22 shtator në vendin e quajtur
Gradina, mes fshatit Dobroshevc-Gllanasellë, mirëpo unë nuk isha i sigurt nëse ishin tërhequr apo jo, andaj ata vazhduan rrugën drejt lagjes Lladrovci, ndërsa unë drejt lagjes Berisha, ku takova familjen time. Takimi ishte shumë prekës, e sidomos me vajzën Xhemilen, 6 vjeçare, e cila mu hodh në përqafim e nuk çmallej dot. Pas një qëndrimi afro dy orë, me t’u errur u ktheva në Gradicë ku varrosëm edhe dy kufoma Dr. Lec Ukajn11 dhe një grua nga Hamidia. I stërlodhur, së bashku me Mehdi Bardhin natën e kaluam në odën e Qazim Dervishit, ku na ofruan një mikpritje sipas traditës.