Fletëza nga kujtesa: Arrestimi në vitin 1981

10.07.2017 21:47:59

Nga Izet Avdyli

Pas ngjarjeve te vrullshme te marsit dhe prillit 1981, muajt e verës ishin muajt e gjuetisë së shtrigave, ku qindra të rinj e të reja shqiptare u gjenden prapa grilave. Dënimet ishin drakonike nga 5-15 vite burg. Torturat nga më çnjerëzoret. Mllefi i mbledhur muajve të verës pritej të shpërthente sërish në fillim të shtatorit, ahere kur rinia shkollore dhe studentore do mbushnin rrugët dhe sheshet e qyteteve. Sapo ishim vendosur në një banesë të vjetër në rrugën Llapi dhe kishim bërë vetëm dy net aty, të trokiturat në derë një buzëmbrëmje dhe shfaqja para derës e dy kushërinjve të mi Feratit dhe Shaipit më lanë të habitur. Për një çast i bëra vetes shumë pyetje, pse në këtë kohë, si e gjeten banesën që unë as u kisha treguar ku banoja, vallë çfarë paska ndodhur. Duke parë habinë tim ata nuk vonuan por me një qetësi më njoftuan, së milicia kishte bastisur shtëpinë, kishte marr disa materiale të mia foto, shënime etj. Dhe kishin lënë porosinë të lajmërohem në orët e hershme të mëngjesit. Po ashtu më njoftuan se ishin bastisur edhe shtëpitë e dy bashkvëndasve me të cilët banonim dhe ishim shokë që nga shkolla fillore Ramë Prenku dhe Hamdi Prenku. Ç’është e vërteta ne kishim kohë që herë në mënyrë legale e herë ilegale kishim propaganduar kundër sistemit Titist por që të na vijë radha kaq shpejt të ndeshemi ballë për ballë me sigurimin jugosllav nuk e kishim menduar. Sidoqoftë pa ditur se çfarë materiale saktësisht kanë marrë gjatë bastisjes u nisa menjëherë për shtëpi me veturën e kushëririt Feratit. Anëtaret e familjes babai, vëllau e motrat më priten të shqetësuar dhe frikësuar për pasojat që mund të kisha në ballafaqim me UDB-në jugosllave. Një pjesë e shqetësimit mu hoq kur kuptova se një pjesë e materialëve që sistemi i konsideronte si të rrezikshme nuk kishin ra në duar të policisë, dhe për këtë duhet falënderuar motrën time Ganimeten e cila mbi sëndukun ku kisha këto materiale kishte vënë një bez të qëndisur e mbi të një vazo me lule dhe me gjasë ata kanë menduar se ajo mund të jetë vetëm një tavolinë e vogël për vendosjen e lules. Sipas ftesës të nesërmen në ora 10 u gjenda në stacionin e milicisë në G.
Befasia e parë qe kur pashë dy shokët e mi me fytyra të mavijosura e këmbë të ajura, që më vonë kuptova se ishin arrestuar në orët e hershme të mëngjesit. Mua më vendosën në një qeli të errët pa dritare , vetëm një dritëz e vogël mezi depërtonte nga vrima e çelësit. Vetëm për ndonjë nevojë tualeti kishe të drejt të trokasësh dhe prapë të kthenin në të njëjtin vend. Mungesa ajrit betoni i ftohtë, pamundësia për të fjetur të dërmonin. Megjithatë kisha lexuar një trakt ilegal për rregullat e konspiracionit në rast të arrestimit, dhe tashmë e kisha të qartë se duhej mbajtur vetën dhe ato rregulla fillova ti vej në funksion. Thjeshtë i jepja kurajo vetës, duke kujtuar sa e sa veprimtarë të çështjes kombëtare që kishin kaluar nëpër torturat e burgjeve jugosllave. Qëndrimi afro 48 orë në këtë qeli pa më marr në pyetje e kuptova si një presion psikik e psikologjik për të më lodhur. Ndaj kur po hyja në 24 orëshin e tretë të qëndrimit në qeli (ahere ligjërisht nuk mund të mbanin në stacion më shumë se 72 orë), më hapen derën e qelisë, dhe një milicë më urdhëroi të vete pas tij. Po ngjiteshim shkallëve në katin e dytë të ndërtesës, përgjatë korridoreve po shifja disa bashkfshtarë të mi disa me fytyra të mavijosura. Tashmë e kisha të qartë se i njëjti formalitet më priste edhe mua. Me këto mendime në kokë tashmë u gjendem para derës së postëkomandantit të stacionit. Polici vetëm më hapi derën dhe më liroi rrugën të hyj, ndërkaq që postkomandanti u ngrit në këmbë sikur ta kishte thumbuar diçka dhe ende pa u mbyllur dera mirë më tha: hajde ushtari Jusuf Gërvallës, hajde. Për një çast mbeta i hutuar por ndjenja e të qenit ushtar i Jusuf Gërvallës sikur më dha forcë e kurajo. Menjëherë mu kujtuan rregullat e konspiracionit dhe unë fillova të luaj rolin tim. I thashë se nuk dija unë asgjë për Jusufin, ma kthehu e dinë e dinë mirë dhe sakaq i ngriti nga tavolina dhe i përplasi para meje dy numra të revistës ,,Lajmëtari i lirisë” të cilin e botonte Jusuf Gërvalla me të vëllain Bardhoshin në Gjermani. Po këto tha i ke lexuar, u bëra sikur i shija për herë të parë, pavarësisht se i kisha lexuar dhe shpërndarë ilegalisht në konviktet studentëve në Prishtinë. Mohimi im sikur e pezmatoi atë dhe me një goditje ta papritur në fytyrë më bëri që mezi të mbaj drejtpeshimin e të mos bie për tokë. E mira tha është të tregosh vetë përndryshe neve kemi tërë informacionin edh për pjesëmarrje në demonstrata por edhe për shkuarjen e parullës Kosova Republikë në stacionin e trenit në Dobroshec. Ndërkohë nxori mbi tavolinë dy fletore të mija që mbaja shënimet e ligjëratave. Hapi kopertinën e fletores ku mbaja shënimet e lëndës ,,Sistemi Ekonomik i Jugosllavisë “ dhe në faqen e parë kërkoi të lexoi vargjet e një strofe të një poezie që kisha shkruar me inicialet M.K ku thuhej:
s’na frigon litari,
as çeliku juaj,
më parë vdesë shqiptari,
se të rrij rob i huaj

Menjëherë më pyeti të kujt janë këto vargje, i tregova të Mark Krasniqit,
Pyetja tjetër pse i ke shkruar, i përgjigjem se e kam hobi leximin, … po por pse pikërisht në këtë fletore ku flitet për sistemin ekonomik të Jugosllavisë më hakërrehet prapë. Radhën e ka fletorja tjetër me shënime nga lënda: Histori e shtetit dhe të drejtës, Aty kisha nxjerrë disa fjalë nga drama ,,Gërsheti i luftërave” , ku thuhej: Historinë e saj Kosova e ka shkruar me gjak dhe me gjak do ta mbrojë “ A.G. Edhe këtu kërkoi të deshifroi inicialet. Në këtë rast bëra një shmangie, edhe pse fjalët ishin të Azem Galicës unë i thashë janë të një shkrimtari nga Maqedonia Adem Gajtani, ngase e merrja me mend se ai nuk mund t’i ketë lexuar fare veprat e tij. Edhe kjo disi u kalua, por tash presioni filloi të rritet së bashku me kërcënime, ndërkohë hyri në zyre edhe shefi i stacionit të policisë SH.B. i cili pasi i zgjati dorën postëkomandantit e pyeti se si po kalonte dhe pasojë përgjigjja e tij ironike: po ja po rrahemi ngapak. Përveç vapës që bënte një termo e lëshuar, dëgjohej edhe zhurma e kasetofonit ku vazhdimisht dëgjoheshin këngë patriotike që madhëronin Shqipërinë e që i ishin konfiskuar shokut tim Ramës. Edhe pse i dërmuar këto këngë sikur më jepnin forcë edhe pse nuk e dija saktë qëllimin pse i kishte lëshuar pikërisht kur po më merrte në pyetje për të parë reagimin tim apo për të vërtetuar qëndrueshmërinë e idealeve të mia. Ai tani po më sfidonte edhe me disa foto që kisha bërë si maturant me një grup shokësh të varr i Azem Galicës në Galicë, pasi mi hodhi përpara tha shiko ju irredentistë ku keni dalë në foto, unë ia ktheva me qetësi se nuk e kam ditur që është e ndaluar të dilet në fotografi pranë varrit të tij. I papërmbajtur e me një nervoze ma ktheu: Nuk është e ndaluar, por për ty dhe shokët tu është e ndaluar. Kishin kaluar gati dy orë që po më torturonte me pyetje të ndryshme, dhe befas mu drejtua, dil jashtë, je i lirë. Fjala je i lirë ende më dukej e pabesueshme madje mendova jam i lirë të dalë vetëm nga zyra e tij, por milici që më shoqëroi më përcjelli deri në sportel më dha letërnjoftimin duke më thënë se je i lirë mund të shkosh në shtëpi. Muzgu po binte ngadalë kur po dilja nga stacioni dhe ndonëse i dërmuar udhëtimi këmbë deri në shtëpi mu duk shumë i shkurtër. Gëzimi i anëtarëve të familjes ishte i papërshkrueshëm. Sidomos motrat, por edhe daja im Sokoli që kishte ardhur nga Abria i shqetësuar tejmase. I uritur tejmase darkën e hëngra me shije edhe pse gjumi më tradhtonte, andaj përderisa në odë ishin tubuar edhe mixhallarët e kusherinjtë të gëzuar për lirimin tim, mua më kishte zënë gjumi dhe vetëm kur erdhi koha të shtronin për mysafirë më nxorën gjumin. Ende më bëhej se koka më rëndonte, por gëzimin e familjes për lirimin tim unë sikur nuk po e ndjeja, kur mendoja se shokët e mi tashmë ishin dënuar dhe gjendeshin dikund në qelitë e burgut të Prishtinës, më vinte të akuzoja vetvetën pse edhe unë nuk jam në mesin e tyre. Dhe kjo ,,dëshirë” imja do të realizohej të nesërmen. Kisha planifikuar që në orët e pasdites të mësyj Prishtinën dhe të shkojë në banesë, por këtë plan ma prishën dy milicë që erdhën me një veturë tip i Gazikës, të cilët më morën dhe më dërguan sërish në stacionin e milicisë ne Gllogoc.
Kësaj radhe po më priste operativisti i sigurimit të UDB-së A.I. Fillimisht u tregua kinse i sjellshëm më mua duke më përgëzuar për studimet e mia, si një i ri që do ti kontribuonte shoqërisë, por duke parë mospërfilljen time ndaj këtyre lajkave filloi egërsimin e tij duke nxjerr pastaj tërë ndyrësinë e një operativisti. Injorimi im i të gjitha pyetjeve që mi bënte kinse nuk dija asgjë e ngriti tensionin tejmase. Lufta e ndyrë që bëhej ndaj të rinjve pjesëmarrës të demonstratave bëhej edhe jashtë stacionit policor në komitetet e Lidhjes Komuniste në fshatra, njëri nga këta shërbëtor më kishte përmendur mua dhe disa shokë se ishim pjesëmarrës të demonstratave, prandaj edhe pyetjes së operativistit nëse isha pjesëmarrës demonstratave iu përgjigja pozitivisht. Kjo ishte e mjaftueshme që lënda ime të dërgohet menjëherë tek gjykatësi për kundërvajtje i cili më shqiptoi dënimin me burg prej 30 ditësh. Ndonëse një ndjenjë mallëngjimi se po ndahesha nga familja, çuditërisht një ndjenjë kënaqësi më erdhi ngase nuk po i leja shokët vetëm por po u bashkohesha në burgun e Prishtinës. Derisa me vendim në dorë po prisja në korridor, mu ofrua një ish-mësues i imi që tani punonte në milici dhe mendova se po ndjen dhembje kur më pyeti se çfarë po ndodhë me mua, kur unë shumë me sinqeritet i thashë se isha pjesmarrës i demonstratave dhe gjykatësi më shqiptoi dënimin prej 30 ditësh, ai pa fije turpi u shpreh ia pashë hajrin se tu paska krue. E shikova me përbuzje ish mësuesin që në vend të punës së edukatorit tash kishte zgjedhur punën e një operativisti të ndyrë. U gëzova kur me thirri polici që në popull njihej si hajn i pulave për të hypur në veturë e cila do të më dërgonte në burgun e Prishtinës. Zhurma e alarmit të veturës nga G. Në Prishtinë nuk ndalej dot. I thashë vetës kaq i rëndësishëm qenkam unë që po më përcjellin me gjithë këtë zhurmë. Por arsyen e kësaj e kuptova më vonë kur sapo hymë në sportelin e burgut, polici që njihej si hajn i pulave mori në telefon njërin nga shokët e tij duke i lëshuar disa të shara nënës së tij e duke i thënë se e kishte humbur kushtin, ngase ky i kishte premtuar që për 25 minuta do jem në Prishtinë. Kur u hapen dyert e oborrit të burgut në vend të ndjenjës së frikës më përshkoi nja valë gëzimi kur pashë shokët e mi të cilët mu hodhën në përqafim.