Florian Hahn: Turqia të kujton kohët e errëta të Gjermanisë

04.11.2016 12:25:55

olitikani Florian Hahn, zëdhënës i grupit parlamentar të CSU-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, në një intervistë për Dojçe Velen thotë se mendon se në gjendjen ku është Turqia nuk mund të ketë liberalizim të vizave, pasi me sjelljet autokratike të kohëve të fundit, Turqia të kujton kohët e errëta të Gjermanisë

Dojçe Vele: A i intereson qeverisë gjermane liria e shtypit në Turqi?

Florian Hahn: Sigurisht që po. Si qeveria dhe parlamenti janë të shqetësuar për ngjarjet në Turqi dhe presionin ndaj gazetarëve dhe kufizimet e lirisë së shtypit.

Can Dündar, ish-kryeredaktori i Cumhurriyet-it, ka ardhur për t’u strehuar në Gjermani. Kryeredaktori aktual Murat Sabuncu u arrestua. Përse qeveria gjermane reagon kaq mefshët?

Këto arrestime tregojnë se ne jemi në një pozitë shumë të vështirë. Nga njëra anë, Turqia është një partner shumë i rëndësishëm në luftën kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik, nga ana tjetër, Turqia është edhe vetëm për shkak të vendndodhjes së saj gjeostrategjike një fqinjë shumë e rëndësishme. Nuk është kaq e lehtë ta dënosh Turqinë. Ne duhet të mbajmë gjithashtu parasysh edhe interesat tona.

A përdoret për këtë shkak një masë e dyfishtë?

Siç thashë: Ne duhet të mbajmë parasysh interesat tona, në anën tjetër gjithashtu asgjë nuk duhet  anashkaluar. Unë po ashtu sinqerisht nuk besoj se ne mund t’i japim Turqisë në këtë gjendje liberalizimin e vizave.

Ju flisni për interesa gjermane. A është bërë qeveria tepër e varur për shkak të marrëveshjes për refugjatët me Turqinë?

Ne duhet t’i shohim gjërat me realizëm. Turqia ndikon drejtpërdrejt në shumë fusha interesat tona, pavarësisht a duam ne apo jo. Dhe sigurisht këtu bën pjesë edhe roli i saj në krizën e refugjatëve.

Pjesë e marrëveshjes me Turqinë ishte edhe liberalizimi i vizave. Si është puna tani?

Liberalizimi i vizave qe pjesë e marrëveshjes por i shoqëruar edhe me një katalog me 72 kushte. Nga plotësimi i këtyre kushteve, Turqia është larguar mjaft edhe për shkak të kufizimit të lirisë së shtypit. Unë besoj se liberalizimi i vizave tani nuk është në rend të ditës. Dhe partia CSU ka qenë gjithmonë e mendimit se në gjendjen ku është Turqia nuk mund të ketë liberalizim të vizave.

Javën e kaluar qeveria turke shkarkoi kryetarin e bashkisë së Dijarbakirit. Ajo po vepron kundër shtypit opozitar megjithë protesta nga jashtë. A vepron qeveria në Ankara aktualisht si i do qejfi?

Për fat të keq na duhet të konstatojmë se këto zhvillime janë alarmante. Ndërkohë nga shërbimi civil janë shkarkuar që nga mesi i korrikut më shumë se 100.000 vetë, një duzinë universitetesh janë mbyllur. E gjithë kjo na kujton kohët e errëta të historisë sonë.

Sa vlerë ka një akoma një partner i tillë?

Ju e dini se disa partnerë nuk mund t’i zgjedhësh, sikurse nuk mund t’i zgjedhësh as fqinjët. Turqia është fqinji ynë, Turqia gjendet tek thembra e Akilit e kufirit të jashtëm të BE-së dhe për këtë arsye edhe në kufirin e jashtëm të Gjermanisë. Për këtë shkak, është e rëndësishme që ne t’i shikojmë gjërat  me qetësinë e nevojshme dhe me seriozitetin më të madh.

Pra politikë e qartë reale?

Në këtë drejtim duhet të jemi krejtësisht të sinqertë: natyrisht politika ndaj Turqisë është politikë reale.