Fluks turistësh te Tyrbja e Sulltan Muratit në Obiliq, është ndër objektet me të vjetra në Ballkan

29.08.2018 22:05:58

Tyrbja e Sulltan Muratit mendohet se është një ndër vendet më të vjetra në Ballkan.

Tyrbja e Sulltan Muratit është ndërtuar pas betejës së parë të Kosovës, në fshatin Mazgit të Obiliqit. Vendi ishte dedikuar Sulltan Muratit, i cili ra në këtë vend gjatë “Betejës së Kosovës”.

Për vizitorët nga Turqia ky konsiderohet një vend i shenjtë.

“Është hera e dytë që vij këtu. Ky vend është shumë i rëndësishëm për mua dhe familjen time. Pas restaurimit vendi është bërë më i mirë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Ibrahim Mursal nga Turqia.

Por, këtë vend nuk e vizitojnë vetëm turqit, ka edhe vizitorë tjerë nga vendet e Evropës perëndimore.

“Unë shumë shpesh vij në Kosovë. Më pëlqen të mësoj për historinë e shqiptarëve”, shprehet turisti Andeas Gerner, përcjell Telegrafi.

Tyrbja e Sulltan Muratit është restauruar disa herë ndërsa i fundit është bërë në vitin 2005.

“Deri më tani tyrbja u është nënshtruar disa restaurimeve. Restaurimi në shekullin e XVII me rastin e ardhjes së Evlija Qelebiut. Ka pasur edhe dy restaurime tjera, ndërsa i fundit është bërë në vitin 2005 nga qeveria turke, ashtu siç është edhe sot”, shprehet ciceroni Muhamet Hasani.