FOGGO: NUK KA INFORMACIONE PËR TRAZIRA RRETH SPECIALES

01.02.2018 17:57:32

Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali James Foggo, nuk pret të ketë trazira eventuale në Kosovë për shkak të Gjykatës Speciale, por tha se KFOR-i është i aftë të ofrojë siguri në tërë territorin e Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite të përbashkët me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, që patën sot tek ura kryesore në Mitrovicë.

“Sa i përket pyetjes se a kam ndonjë informacion rreth trazirave apo ndonjë parashikim rreth Gjykatës Speciale, përgjigjja ime është jo”, ka thënë ai.

I pyetur rreth mendimit të tij për gjendjen e sigurisë në  veri të vendit pas vrasjes së Ivanoviqit dhe urës së bllokuar që lidh këto dy pjesë, admirali Foggo tha se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është përçimi i mesazhit për paqe, stabilitet dhe siguri.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, ka thënë se KFOR-i garanton paqe dhe siguri në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkohë ka shprehur keqardhje për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Sa i përket urës së bllokuar, ai tha se rihapja e kësaj ure nënkupton një lidhje shumë të rëndësishme mes dy popujve.