Folësi lirik përballë imazhit gri,me mjegull dhe dritë

28.02.2019 14:44:35

Prend BUZHALA

(Çast eseistik), 27
Gri është simbol i shumëfishtë: ngjyrë e intelektit, ngjyrë e kompromisit në mes të bardhës e të zezës… dritës dhe errësirës, ndriçimit dhe shiut, mbase vendnumërimit… çfarë asociacionesh zgjon ARTI POETIK… “Mjeshtri i mirë që e dallon karakterin fundamental të ngjyrës gri, i shpreh karakterin e të gjitha ngjyrave”, thoshte Odilon Redon. Uniformat luftarake, militariste, janë në gri, gri është simbol pendimi teologjik, është simbol pesimizmi, kur rrobat vishen gri atëherë personi është i lidhur me humbjet e depresionet në jetë…1. 
Pamjet e mjegullta nga e kaluara, shndërrohen në drita mesazhesh të mëdha, kurse vizione të turbullta të së ardhmes, bëhen shkëndijëzime të pikësynimeve njerëzore. Në ide të mëdha, në mendime të shenjta. Poeti frëng, Guillaume Apollinaire, te poezia e tij “Vjeshtë”, këndon:

1. 
Pamjet e mjegullta nga e kaluara, shndërrohen në drita mesazhesh të mëdha, kurse vizione të turbullta të së ardhmes, bëhen shkëndijëzime të pikësynimeve njerëzore. Në ide të mëdha, në mendime të shenjta. Poeti frëng, Guillaume Apollinaire, te poezia e tij “Vjeshtë”, këndon:

Oh! Vjeshtë, vjeshtë që vret verën 
Në mjegull shkojnë dy silueta gri
(përkthim P.B.)

Është poezi e rënies së çdo gjëje, e zhgënjimit në dashuri, e ndarjes së të dashuruarve. Diku te një krijues tjetër, lexojmë një dialog në mes dy vetjeve, ku folësi lirik gjendet papritmas përballë një imazhi, mu në tisin e mjegullës gri. Mbi figurën e kontrastuar të këtij paradoksi artistik-figurativ, endëzohet teksti lirik. Shembujt për figurën e përdorur të mjegullës në letërsi, janë të shumtë. Në poezi, me përjetime të habitshme, ngjet posi në ato mjegullat e zjarrta e të përndritshme biblike; te tekstet biblike shumë herë Hyji zbret nga një re e ndritshme dhe ligjëron me profetët, me shenjtorët a me shpëtimtarët (si te Eksod, 34,5), tek i flet Moisiut; ndërsa tingulli që vjen nëpërmes këtyre imazheve të përndritshme, ngjet në zërin që del nga një re (Mateu 9,7). (Figurën e ndritshme të mjegullës e hasim te ILIADA, Zeusi quhet Re e Mbledhur, aty ku enden Mjegullat e vdekjes e te luftës, kurse heronjtë e shohin Mjegullën e vdekjes nëpërmes dritës). Para vegimeve të tilla të përndritshme njeriu nuk gjen fjalë ta përshkruajë. Mbetet eng. I pafjalë, i heshtur. Memec! Gjithçka e mrekullishme, e mbinatyrshme, vjen vetëm nëpërmes një mjegulle a tingulli hyjnor, a tingulli njerëzor që mbetet krejt i heshtur, memec! Memecllëku të shpie në këtë rast, këtu, shtegut semantik të mrekullisë që mund të përjetohet vetëm një herë në jetë! Dhe folësi a subjekti lirik e ka zënë këtë vegim, këtë imazh, këtë pamje të mrekullueshme, në daç biblike, në daç jetësore… Mandej gjithçka humbet aty për aty. Folësi lirik nuk mund ta thotë të vërtetën, se nuk ka më fjalë. Diçka tejet e bukur ka humbur, një si gjurmë trashëgimie shpirtërore, personale, nacionale a njerëzore. Dhe meqë kjo figurë të shpie kah ato të Mjegullës së Zjarrtë biblike, athëherë, kah humbi kjo trashëgimi, ky besim!?… Kush e dëboi? …
Porse lirika moderne e ngërthen në qenien e saj artistike edhe shumëkuptimësinë, polisemantizmin. Kund e kund, mjegulla shfaqet si mur që nuk i lë të shfaqen vizionet a që i pengon të dalin në dritë, si mur që ia zë frymën komunikimit njerëzor; diku tjetër, te një nyje tjetër kompozicionale-lirike, ajo duket e shfaqet si një iluzion i beftë, i shembur, si një zhgënjim ekzistence; mandej si qenie e kapërthyer nga dilemat jetësore; e deri te një ironi e tjetërsimit njerëzor, e vetmisë personale përballë këtij zhgënjimi masiv a kundruall zhveshjeve nga vlerat njerëzore, ironi e zhveshjes së esencës dhe ekzistencës njerëzore nga kuptimet burimore rë saj…

2. 
Kur universi ishte errësirë, të parën gjë që krijoi Hyji, ishte një dritëz… si kusht i jetës, shpresës, dashurisë. Xixëllonja, kjo figurë e traditës së mirëfilltë poetike, në lirikë vjen me risemantizime e pasurim idesh poetike, një si baladë-mitike e bukur për dashurinë e humbur. Dhe “kush e ka, ka gjith’ gjithësinë!…” thotë një poet. 
Poeti Agim Spahiu, te poezia e tij “Xixëllonja” këtë e semantizon si bukuri të kujtesës në shkretëtirën e një jetë gri:

S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje atë natë
të errët martesore
dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e një xixëllonje…

Fuqia kozmike e guximit në hapësirë e kohë, është shqiptim i fuqisë së heroizmit të shpirtit njerëzor, nëpër shtyllat ekzistenciale të vetëflijimit të qenies – dritësim e mishërim në flakë të qirinjve… 
Metaforika e tillë, e bukur dhe e gjetur, na vë në një situatë tjetër: kur e perceptojmë jetën të errët, të mjegullt, të paqartë, atëherë edhe mendja na bëhet se nuk ia vë veshin asgjëje; bëhet e shurdhër ndaj ankimeve. I ka humbur ndjeshmëria për t’iu përgjigjur qortimeve apo për të dhënë qortime. Amit Ray, , autore indiane, këshilltare shpirtërore, mbi meditimin, paqen dhe dhembshurinë, na porosit, që në këso momentesh të mos e harrojmë frymën (frymësinë, shpirtësinë) që kemi, e cila, me fuqinë e saj, na dhuron paqe dhe na i zgjidh ekuacionet e pazgjidhura të jetës. 
Përfytyrojeni edhe vetveten në situatat kur e keni mundura trurin me pyetje të shumta, që ta krijojnë njkë gjendje shpirtërore të shqetësuar, gjithë thurbvillirë mendore e e besa edhe nervore… e përpara ju del një imazh i pafund, një oqean i mbuluar nga mjegulla. 
Përfytyrojeni përshkrimet poetike, ose dhe ato në prozë, për njeriun e vetmuar që endet në mjegull nëpër natë. Dhe, nmë aso çastersjh, ai e ka mençurinë e tij si një fanar ndriçues… 
Ti gjendesh në errësirë a në mjegull. Dhe gjendaj e tillë të bën ta duash dritën. Dhe si ta realizosh ekzistencën në rrethanat e një anti-ekzistence. 
Por ndodh edhe ndryshe: ndiejmë nevojë që ndonjëherë të zhytemi në errësirën e natës. E çka shohim në errësirën e tillë? 
Shohim përtej gjithçkaje, përtej qenies sonë, përtej botës fizike që na rrethon. Sepse, kur “nuk sheh”, mendon më thellë. E kur jeta është e errët, poetët përpiqen të shohin përtej: çka ka përtej ekzistencës së tillë? Njeriu ndien nevojë të mos mendojë turbull. 
Mandej shfaqet drita në mëngjes, dhe ndiejmë nevojë t’i kundrojmë largësitë, horizontet, diellin që shquhet në ag…

3. 
Në letërsinë tonë ka jo pak tituj veprash që përmbajnë emërtimin mjegull. Ismail Kadare: “Mjegullat e Tiranës”, Skënder Sherifi, një poet shqiptar që shkruan edhe frëngjisht, ka vëllimin “Hijet e dritës”. Le ta kujtojmë mjegullën mitike të Rozafës, te kl nga legjendare “I ra mjegulla Bunës”. Kadare, te veprat dhe esetë e tij, mjegullën e sheh dhe si gjymtim të identitetit, si histori me faqe të errëta, ose kur në jetën shoqërore mbizotëron kaosi. Ka një univers të tërë letrar kjo figurë te veprast e Kadaresë. 
Mandej poeti Jozef Radi ka librin poetik “Kujtesa e mjegullt,”, në të cilën kjo kujtesë ndërlidhet me të kaluarën tragjike të familjes, humbjes së prinçdrve e vuajtjes prometheike të tyre:

(në harkun e nji viti, humba të dy prindët)
Gishtat e verbër
s’mund të prekin asgja
në detin e kësaj mjegulle
ku jam zhytur.

Fytyra e shumfishtë e vdekjes
me ndjek gjithkah
nëpër mjegull…
e nëpër mjegull
edhe fjalët e të ikurve
m’rëndojnë si gurë në shpirt…

Me gishta të verbër
gërmoj detin e dhimbjeve të nënës
dhe kthimin e tim eti nga qiejt,
si shpend me krahë misteri
mjegulla e dhimbjes ma përpin…
1998 (poezia “Mjegull dhimbjeje”

4.
Në dhimbje “Mjegulla është si një kafaz pa një çelës” thotë Elizabeth Wurtzel. Iluzionet mes dhimbjes së vjetër dhe joshjes së re, përbejnë thelbin ideor e strukturor të jo pak lirikave të realizuara. Protagonistit lirik i duhet ta sajojë NJË ILUZION për ta rigjetur ekuilibrin e humbur, atë dritën e jetës… Meqenëse është fjala për një perceptim të shtrembëruar të gjërave, siç është iluzioni, po i jap këtu dy-tri citate nga njerëz të mëdhenj:
“Për iluzionet na duhet të themi fjalë të mira, sepse ato na ruajnë nga dhimbjet dhe na lejojnë që, në vend të dhimbjes, t’i përjetojmë kënaqësitë. Na duhet, pra, ta pranojmë pa u ankuar, kur ato bien nganjëherë ndesh sadopak me realitetin, kundruall të cilit iluzionet bëhen copë e grimë” (Sigmund Freud).
“Një shtëpi duhet të ndërtohet mbi themele të forta, nëse ajo bëhet për herë të fundit. I njëjti parim vlen edhe për njeriun, përndryshe ai do të zhytet përsëri në tokë të butë dhe lehtë bëhet pre e gëlltitjes dhe asgjësimit nga bota e iluzionit” (Sai Baba).
“Dashuria romantike është një iluzion. Shumica prej nesh kur e zbulojnë këtë të vërtetë në fund të një afere dashurie apo të një situate tjetër – kur emocionet e ëmbla të dashurisë na çojnë në martesë dhe pastaj, ato emocione e kthejnë flakën e tyre si kundërpërgjigje” (Thomas More)

5. 
Vetë qenia njerëzore është e dyzuar pafundësisht, nga ndjesitë, nga përjetimet e pafund, nga anët e dritë-errëta të ekzistimit… Kurse lirika meditative arrin të na e shqiptojë këtë dyzim qeniesor, të pleksur te jeta e njeriut, të shtrirë si fenomen psiko-social dhe si përvojë refleksive-ekzistenciale. 
Shpresa që bën dritë në errësirë… është nj’ajo fija e shpirtit të qëndrueshmërisë e të besnikërisë së karakterit të lirikës, aty ku ligjëron një shp irt femëror. 
Nga ana tjetër, ngjyrat e ylberit vështirë të huazohen nga një realitet artificial, të tëhuajesuar (kur poetët përdorin metoniminë për lulet e plastikes). Mandej poeti pikturon poetikisht imazhet spirituale të një muzgu të pushkatuar me lojën e vdekjes. Ndërsa aty përndrit edhe një lojë shprese; ajo e pritjes me shekuj të një rrezeje…
Diçka ka ndodhur në prerjen dritë-errësirë… në trazimin e horizontit të qenies dhe lotit. 
Dhe jeta, më në fund, mund të shikohet në përndritjet e saj… në anën diellore të saj.

(Rishkrime, 27 shkurt 2019)