Fondacioni BESA mashtroi me 3.7 milionë euro, kush janë të arrestuarit

21.08.2019 14:47:47

Zbardhet emri i fondacionit që ka mashtruar me një vlerë prej plot 3.7 milionë euro, ndërsa një prej shtatë të arrestuarve është drejtoresha Albana Imami. Gazeta Shqip mëson se fondacioni që ka kryer mashtrimet është “Besa” dhe e gjitha skema është ndërtuar me përpikmëri, ndërsa sekserja rezulton të jetë Orklida Driza, ndaj të cilave janë ngritur akuzat.

Sipas burimeve të Policisë, grupi vepronte si një bandë më vete, duke rritur përqindjet e dhënies së kredive përmes parave të fondacionit. Pra, jepej 25 deri në 35 për qind e vlerës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga grupi kriminal, që u asgjësua gjatë operacionit policor të koduar “Kredia”.

Në fakt, policia është vënë në dijeni të kësaj skeme, shumë kohë më parë, por për shkak të mungesës së një denoncimi konkret dhe  një vendimi për vënien në përgjim të numrave telefonikë është bërë e pamundur nisja e procesit.

Janë dashur më shumë se dy denoncime zyrtare, pas të cilave Policia të vepronte menjëherë dhe të kërkonte gjurmim përmes telefonit të Imamit dhe personave të tjerë të implikuar.

Pas shumë veprimeve, Policia ka ndërhyrë dhe hetuar përmes veprimeve proaktive të gjithë skemën e mashtrimit, e zbardhur tashmë dhe grupi i vënë në pranga, me përjashtim të një personi që rezulton i shpallur në kërkim.

“Besa” ka ndërruar disa emra – fondacion, fond, drejtori e mikrokredive, pastaj ka krijuar dy-tre fondacione të tjera, ka blerë aksione, ka shitur aksione, ka qenë OJF, është bërë Sha., shoqëri anonime, është bërë institucion që funksinon si bankë, por quhet jo bankë. Terma që janë shpikur për të ushtruar aktivitete të tila në një zonë gri të kufirit legal.