Forcohen rregullat, urbanët do kontrollohen me çip

02.01.2017 18:14:27

Duke filluar nga ky muaj, kompanitë e transportit publik do të vlerësohen me pikë dhe në rast të moszbatimit të standardeve pasi kanë marrë licencën do t’ju hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit. Kështu deklaroi drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Rudina Hoxha.

‘’Në datën 1 janar do fillojë kontrolli që është risi; sistemi i pikëzimit që më parë nuk ka ekzistuar. Janë vendosur 1400 gjoba linjave të transportit për shkeljen që bënin gjatë gjithë ditëve. Kur të futet sistemi i pikëzimit të gjithë do të mendohen mirë kur të shkelin
ligjin, pasi me vendosjen e gjobës do të ulen pikën deri në heqjen e licencës’’, ­u shpreh Hoxha për Report tv.

Kontrolli i flotës së autobuzëve të transportit publik do të bëhet nëpërmjet një çipi. Kur kompanitë e transportit marrin licencën ata raportojnë në numër më të madh të flotës, ndërsa kur ofrojnë shërbimin, autobuzët që janë në qarkullim janë më të pakët, për këtë
arsye ka dhe vonesa në stacionet e autobuzëve.

‘’Do kemi edhe pajisjen e të gjitha mjeteve me çip. Nuk do të ndodhi më mos të nxirren më linjat, pasi çipi do e tregojë nëse autobusi është i ndezur apo jo’’, ­u shpreh Hoxha. Tirana ka 15 linja urbane dhe 25 linja rrethqytetëse për të kryer transportin publik. Në total janë 500 vendstacione.