Forma rrethore e debatit nuk është shpikje e PDK-së, e cila po kopjon platformën e Avdullah Hotit

29.05.2017 11:40:53

Nga Rexhep Kastrati

Formati rrethor i debateve nuk është shpikje e PDK-së, por është përqasje e Parlamentit britanik, që ka afërsisht një mënyrë të përafërt të organizimit. Toni Blair, këtë e ka përcjellë në Tiranë dhe Edi Rama e ka modifikuar. Nga Tirana ka ardhë në Prishtinë.

Si formë e bashkëbisedimit njihet që në kohën antike. Aristoteli ndërkaq ka praktikuar që ligjëratat t’i mbante duke ecur bashkë me nxënësit e tij. Pradaj edhe shkolla e tij është quajtur shkolla peripatetike.

Edhe tradita jonë e njeh një formë të tillë të komunikimit, e cila është bazuar në një renditje që ka pasur për bazë moshën, raportet dhe pozitën sociale të të pranishmëve në odat e ndryshme shqiptare. Organizimi i odave të ne ka ngjashmëri me organizimin e Parlamentit britanik.

Edhe sofra, në të cilën anëtarët e fmalijes, por edhe mysafirët, kanë kryer vaktet e të ushqyrit ka qenë e rrumbullakët, dhe ka imponuar një ulje rrethore.

Sido që të jetë, ajo që vlen për të theksuar është fakti se PDK-AAK-Nisma kanë filluar ta kopjojnë platformën elektorale të shpërfaqur nga Avdullah Hoti me bashkëpunëtorë. E fundit ishte rritja ekonomike 8%, e cila u shpërfaq në Pejë nga Ramiz Kelmendi, i cili shpjegoi se çka do të thotë kjo, e pastaj e shpërfaqën eksponentë të PDK-së, duke premtuar, po ashtu, rritje ekonomike 8%.