Fotografitë e Marubit edhe në Amsterdam

25.07.2016 19:31:20

Më 16 shtator të këtij viti do të hapet ekspozita “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare”, që do të prezantohet në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit “FOAM”, ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor. Në këtë ekspozitë do të shfaqen fotografitë e përzgjedhura prej vitit 1856 deri në vitin 1959, shkruan KultPlus. Për këtë ekspozitë tashmë është shkruar edhe në faqen zyrtare të Muzeut të Fotografisë së Amsterdamit “FOAM”, ku mes të tjerash thuhet se këto fotografi janë realizuar nga tre breza të fotografëve, të cilët kanë shkrepur fotografi të ndryshme prej shtresës së lartë e deri te barinjtë, prej perandorisë osmane e deri te Mbreti Zog, por duke mos përjashtuar edhe aktorë dhe piktorë të famshëm.

Kjo ekspozitë është në bashkëpunim të ngushtë mes Muzeut Kombëtar Marubi në Shkodër dhe FOAM në Amsterdam, kurse ekspozita e fotografive të Marubit në Muzeun e Amsterdamit është vazhdimësi e ekspozitave të ndryshme që prezanton ky institucion kulturor.