Franca emeton pulla postare me histori shqiptare

11.02.2019 13:40:38

Posta Franceze ka emetuar pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ajo është dizajnuar nga piktori i njohur shqiptar Zamir Mati, i cili përpara dy vitesh çeli një ekspozitë në Paris, “La Maison de l’Albanie” kushtuar heroit kombëtar.  Imazhi që do të shoqërojë pullën ishte pjesë e kësaj ekspozite dhe është realizuar me vizatim grafik sipas projektit për sheshin “Skanderbeg, në Paris”. Gazeta Shqip ka bërë një interviste me piktorin e merituar Zamir Mati, i cili është arkitekti i pullës për postën franceze. Mati flet për rëndësinë që ka kjo pullë për shqiptarët dhe të tjerat që do të emetohen në vijim.

Si lindi ideja e pullës

Më 17 janar 2016, në “La Maison de l’Albanie”, Paris u hap ekspozita me temë  ‘Skënderbeun’. Projekti u mbështet nga Galeria e Arteve,Tiranë dhe nga Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Në ekspozitë morën pjesë 17 autorë me 32 vepra.

Pikërisht  këtu u paraqit prej meje edhe ide-projekti për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris, emër të cilin e ka vendosur në vitin 1971 Bashkia e Parisit me kryetar të saj presidentin e ardhshëm të Francës, Jaques Chirac, në nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, këtij mbrojtësi të Europës nga dyndja pushtuese …

Ky projekt-ide për dekorimin me një grup skulpturorë në siluetë të prerë në lazer me sugjerimet e dashamirësve dhe miqve si dhe mbështetjen e drejtuesve të “La Maison de l’Albanie’,  zotit Gjergji Themeli, Georges Leka, Agron Hasku është ekspozuar gjatë gjithë këtyre tre viteve dhe është e realizuar në bocete të dimensioneve dhe në materiale të ndryshme.

Ideja e pullës lindi nga dekorimi i sheshit “Skanderbeg”?

Po. Skulptura dekorative është menduar të vendoset në periferinë e sheshit, i cili është një platformë e gjerë betoni me diametër 80 metra dhe e vendosur mbi një pjesë të periferikut të qytetit, kësaj arterie kryesore të lëvizjes së mjeteve me shpejtësi.

Skulptura dekorative e cila do të realizohet në siluete të prera të metalit me lazer përbëhet prej një grupi kalorësish luftëtarë me në krye Skënderbeun, të cilët me lëvizje dinamike shkojnë drejtë Europës .

Ide e cila është marrë dhe zhvilluar nga tabloja me të njëjtën temë, e realizuar prej meje dhe e cila u zgjodh nga organizatorët edhe si imazhi i pllakatit të kësaj ekspozite.

Kështu që mbas gati tre viteve punë krijuese, ekspozimi dhe diskutimesh ky projekt-ide përfundon si një zgjidhje e propozuar nga artisti por edhe nga “La Maison de l’Albanie”, për dekorimin e sheshit “Skanderbeg”, Paris .

Kush e dha idenë që pllakati të kthehej në pullë poste për shtetin francez?

Në përfundim të kësaj projekt-ideje u mendua edhe realizimi i një pulle poste me figurën e Skënderbeut dhe kështu kjo ide sipas rregullave dhe ligjeve franceze i u propozua nga “La Maison de l’Albanie”,  me vizatimin dhe zgjidhjen grafike « La Poste, France ».

A do të emetojë Franca pulla të tjera me tematikë Shqipërinë?

Së bashku me pullën për Skënderbeun u realizua edhe një pullë shoqëruese e saj për efekt filatelik, kështjella Krujës, kryeqendra e Arbrit në këtë kohë të lavdishme historike. Kjo pullë poste do të shoqërojë në prezantim pullën me figurën e Skënderbeut dhe do të jetë si fillim i një serie pullash me kështjellat e qyteteve kryesore si; Kështjella e Beratit, Prizrenit, Shkodrës, Kaninës, Pargës, Tepelenës,etj. Zgjidhja e grafike e këtyre pullave të postës do të jetë në shërbim të njohjes historike dhe në shërbim të turizmit. Është ky një projekt i filluar tashmë dhe i propozuar nga “La Maisone de l’Albanie”,  së bashku me Office du Tourisme de l’Albanie, France, projekt që kërkon teknikisht kohë, duke respektuar rregullat dhe ligjet franceze për «La Poste, France ».

Çfarë rëndësie ka kjo pullë për shqiptarët?

Trajtimit figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Ronsari apo deri tek Volteri, Vivaldi e Longfellow në vepra të njohura tashmë botërisht në shekuj ashtu siç vlerësohet edhe në botimet enciklopedike ku emri i Gjergjit tonë na bën krenare jo vetëm si lexues por edhe për historinë shqiptare e lidhur me Europën. Në këtë kuptim çdo mundësi i paraqitjes së figurës së tij dhe në këtë rast edhe në pullë poste, është një vlerësim i veçantë por edhe një pullë më shumë në të gjithë krijimtarinë time në fushën filatelike.

Çfarë përdorimi do të ketë kjo pullë poste

Pulla postare e propozuar nga “La Maison de l’Albanie”  për « La Poste, France » është për përdorim prioritar dhe ka vlerën në euro të dërgimit për peshën deri 20gr.

Këto ditë në hapësirën e “La Maison de l’Albanie”, Paris 14 » do të organizohet një mbrëmje prezantimi i këtyre pullave të postës me figurën e heroit kombëtar Skanderbeg dhe Kruja dhe për sigurimin e tyre duhet të interesoheni pranë kësaj qendre të kulturës shqiptare në Paris.1 of 5