Francesco Flori tërë ditën u mor në pyetje si i pandehur nga Prokuroria Speciale

13.10.2016 20:08:25

Ish-gjykatësi i EULEX-it, Francesco Flori, të enjten gjatë tërë ditës është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

 Ramë Gashi avokat i Fracesko Florit, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se me kërkesë të klientit të tij është realizuar marrja e deklaratës nga Prokuroria.

“Është e vërtetë që sot kemi qenë tërë ditën në Prokurori Speciale për të dhënë deklaratën e klientit tim Flori. Më në fund është realizuar kjo kërkesë e jona, të cilën e kemi bërë vazhdimisht tek organet e drejtësisë”, ka thënë Gashi, duke bërë të ditur se janë sqaruar shumë çështje në këtë rast, për të cilin vazhdimisht ishin informuar rreth mediave.

Flori është marrë në pyetje nga prokurori ndërkombëtar Andrew Hughes dhe prokurori vendës Haki Gecaj. Florit i është hequr imuniteti, pasi dyshohet se është përfshirë në afera korruptive. Ky rast kishte bërë bujë mediale në Kosovë dhe mediat ndërkombëtare.

Lajmin ekskluziv për hetimet preliminare ndaj Francesco Florit dhe Maurizio Salustro ishte publikuar nga hulumtuesit e emisionit “Betimi për Drejtësi” më 14 prill 2014.