Françesku veç ka ndërruar jetë! Intrigantët dhe braktisësit kanë vdekur!

03.04.2017 16:33:32
Nga Rexhep Kastrati
Tefta dha alarmin për Françeskun! Askush nuk ia vari! çifti që i dha shpirt, i dha vokacion, i dha jetë ekranit dhe skenës dhe mbajti të lidhur për ekranin dhe skenën një popull të tërë, u braktis kur fatkobi luante me jetën dhe vdekjen e Françeskut, dhe kur Tefta me ankth dhe trishtim derdhte lotët e dhimbjes dhe të dëshpërimit mbi trupin e artistit, të njeriut, të bashkëshortit.
Kjo botë u çthur! – do të këlthiste Hamleti, derisa injorantët, idiotët, dallkaukët, kopukët, siç do të thoshte Noli, derisa sakllabanët, siç do të thoshte Fishta, derisa teveqelët, maskarenjtë, llaskucët, hilexhinjtë, faqezinjtë, dilixhinjtë, intrigantët, besëprerësit, hipokritët, puthadorët, pakurrizorët, horët, luajnë me ndjenjat, jetën, artin, shpirtin, e një populli!
 
Por jo, jo: Françesku nuk vdiq! Ai veç ka ndërruar jetë! Ata që e braktisën, ata që i thurën intriga, që kujtuan se me të braktisur, me të menjanuar, e vrasin artistin, e vrasin shpirtin e tij, e vrasin vlerën e tij, e vrasin historinë e tij, ata kanë vdekur!
 
Historia e artistit nuk vritet, por vriten ata që braktisën dhe i bënë intriga! Dhe në historinë e artistit, intrigantët dhe ata që e braktisën do të jenë të pranishëm si Jagua, si Karli, si Kaini, si Juda, si pabesia, si tradhtia, si faqja e zezë!
 
Shpirti i Françeskut mund të pushojë i qetë, por intrigantët, braktisësit, dhe gjithë soji i të keqinjve, kanë edhe një njollë të zezë në portretin e tyre të pistë!