Frika e Serbisë nga anëtarësimi i Kosovës në UNESCO

04.01.2017 11:31:44

Kosova sivjet, pas dështimit para dy vjetësh, do të duhej të bënte sërish përpjekje për t’u anëtarësuar në UNESCO. Serbia tashmë ka filluar të përgatitet e të lobojë kundër këtij anëtarësimi.

Sipas mediave kosovare, përfaqësuesi i Serbisë në UNESCO, ambasadori Darko Tanaskoviq ka thënë se nëse Kosova, për çdo rast, do të bëhej anëtare e UNESCO, pasoja do të ishin të paparashikueshme për “identitetin serb dhe për trashëgiminë kulturore në Kosovë” .

Ai, në një intervistë “Jedinstvo”, ka thënë se në rast të pranimit të Kosovës në UNESCO, në dokumentet e kësaj organizate: “objektet tona të mesjetës, kishat e manastiret do të prezantoheshin si pasuri kulturore të Kosovës e jo më të Serbisë”.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse është e mundur që ajo që media serbe e quan trashëgimi kulturore serbe në Kosovë, të marrë statusin e eksterritorialitetit, ai është përgjigjur: “E di se për trashëgiminë tonë kulturore në Kosovë ka pasur ide të vendoset një status si njëfarë eksterritorialitet sipas modelit të Atosit, madje se është përmendur edhe statusi i Jerusalemit e Vatikanit, por për këtë realisht nuk ka kushte”.

“Mendoj se për këtë nuk ka kushte reale, sepse çdo zgjidhje, si premisë, nënkupton ekzistimin e shteti të pavarur Kosovës në kuadër të së cilës eksterritorialiteti do të vendosje dhe arrihej me marrëveshje bilaterale dhe me garanci ndërkombëtare.

Për Serbinë pavarësia Kosovës është e papranueshme dhe ajo me të nuk mund të hyjë në kurrfarë aranzhimesh ndërshtetërore”, ka thënë ai.