Frymëmarrje për madrilenët, Ronaldo nuk rrezikon finalen

07.05.2018 23:16:51

Cristiano Ronaldo do të jetë në fushë në finalen e Ligës së Kampioneve, kundër Liverpool, që do të luhet në Kiev më 26 maj. Asi portugez do të duhet të bëjë vetëm një javë pushim, për të qenë gati më 20 maj, në javën e fundit të kampionatit.

Dëmtimi që pësoi në momentin e golit të barazimit në ‘El Clasico’, pas kontaktit që pati me Gerard Pique, ndezi sirenat e alarmit në kampin madrilen, me portugezin që çaloi në minutat e fundit të pjesës së pare, ndërsa trajneri Zidane për të mos rrezikuar e ulli në stol në të dytën.

Nga vizitat specializuar mjekësore, bëhet fjalë vetëm për një ndrydhje të lehtë të kaviljes së këmbës së djathtë dhe sulmuesi duhet të qëndrojë disa ditë pushim.

Për këtë arsye portugezi do të humbasë sfidat me Sevillan dhe Celta Vigon në kampionat, ndërsa mund të jetë gati për takimin e fundit, kundër Vilareal. Aktivizimi në ndeshjen me Villareal do të jetë një lloj testi që portugezi të ketë ritmin e garës për finale e madhe të sezonit.