Fshatrat e Kukësit të bllokuar nga bora dhe pa drita, kryebashkiaku kërkon ndihmë nga Emergjenca

05.01.2017 12:43:43

Kukësi vijon të jetë nën pushtetin e e dëborës, reshjet e së cilës janë intensifikuar gjatë mëngjesit të sotëm. Fshatrat Arren, Kalis, Grykeçaje e Surroj janë të bllokuara ndërsa një pjesë e fshatrave janë pa energji elektrike, njofton bashkia e këtij qyteti.

Në një dalje për mediat, Kryetari i bashkisë Bashkim Shehu kërkon mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa shton se bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si Ujësjellësi si dhe mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit.

Kryetari i Bashkise i bën apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur një arsye të fortë në këto ditë ku priten edhe rënie drastike të temperaturave.

Borëpastrueset janë në terren për mbajtjen hapur dhe të qarkullueshme “Rrugën e Kombit” dhe akset e tjera që lidhin Kukësin me Njësitë Administrative.