FSK fillon misionin humanitar në Shqipëri

FSK fillon misionin humanitar në Shqipëri

07.12.2017 15:52:18

Kontingjenti i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës sot ka filluar operacionin humanitar për t’u ndihmuar autoriteteve në Shqipëri në sanimin e pasojave nga vërshimet.

Për ta përcjell  nisjen e pjesëtarëve të FSK-së në kufi ka dal edhe komandanti i FSK-së Rrahman Rama, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, Sylë Ukshini nga ambasada e Kosovës në Shqipëri dhe shefi i Ushtrisë shqiptare Dedë Prenga.

Ky i fundit duke shprehur mirënjohje të thellë për Qeverinë e Kosovës dhe FSK-së, ka thënë se kjo ndihmë është e mirëseardhur për shtetin e Shqipërisë dhe banorët që kanë pësuar nga përmbytja.

“Qeveria e Kosovës dhe FSK-ja i është gjendur vendit tonë në këto ditë sidomos në qarkun e Fierit dhe në Vlorë në ndihmë e mbështetje morale e material. Kjo është një pjesë e ndihmës dhe mbështetjes që Qeveria e Kosovës ka dhënë  dhe vazhdojë të jap për njerëzit në nevojë dhe për të gjithë strukturat e tjera në gjithë territorin e Shqipërisë. Këto janë një pjesë  e urave beli që janë dhënë si ndihmë mbështetëse dhe emergjente për vendin tonë ku më shumë se 65 ura janë të shkatërruara dhe të dëmtuara në gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Prenga.

Ai në emër të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se vlerëson ndihmën e dhënë nga autoritetet e Kosovës për shtetin shqiptar.

Ndërsa komandanti i FSK-së Rrahman Rama tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme cdoherë që t’iu dal në ndihmë njerëzve në nevojë.

“Gjithmonë duke u bazuar në kapacitetet tona edhe presidenti dhe kryeministri duke u bazuar në këto kapacitete, ne si forcë kemi marr urdhrin operacional dhe jemi këtu sot. FSK gjithmonë ka dëshmuar se autoritetet e Kosovës kanë marr një vendim rekord që t’iu dalim në ndihmë.

FSK  ka dëshmuar se është forcë për të gjithë edhe për qytetarët tjerë. Bazuar në ligjet tona për dislokim për aktivitetet humanitare janë marrë të gjitha masat dhe ne me ato mundësi dhe ato kapacitete që kemi t’i dalim në ndihmë ushtrisë shqiptare që sado pak ti sanojmë dëmet që kanë shkaktuar përmbytjet e fundit”, tha Rama.

Për këtë Rama tha se është një aktivitet i mirë koordinuar nga dy ambasadat, ajo e Kosovës  në Shqipëri dhe e Shqipërisë në Kosovë në mënyrë që FSK të jetë gjithnjë pranë atyre që pësojnë nga katastrofat humanitare.