Fundi i epokës së Gjukanoviqit?

15.10.2016 19:01:20

Në vitin kur Partia Demokratike Socialiste (DPS) feston 25 vjetorin e të qënit në pushtet, në Mal të Zi mbahen zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga aplikimi i sistemit parlamentar, dhe zgjedhjet e katërta prej pavarësisë së Malit të Zi. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, DPS paraqitet kësaj radhe e vetmuar në zgjedhje.

“Karakteristika e kësaj fushate të DPS ishte që për herë të parë që nga vitet 90-të del në zgjedhje pa ndonjë partner në koalicion dhe në plan të parë e ka vënë kryeministrin Millo Gjukanoviq, që do të thotë se kjo parti nuk ka kuadro të tjerë që mund ta kryesojnë”, thotë për DW, Samir Kajosheviq, gazetar i ditores Vijesti.

Nga ana tjetër, opozita është ende e përçarë. Ajo dominohet nga Fronti Demokratik (DF), të cilit gjatë fushatës iu ndalua një spot ku Gjukanoviqi përshkruhej si “koka e korrupsionit në Mal të Zi”.

Një ofertë të re përbën koalicioni i ri i madh “Kljuç” (Çelësi), i përbërë nga Demos i Miodrag Lekiqit, Partia Popullore Socialiste dhe Uniteti i Aksioneve Reformuese.

“Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, partitë opozitare janë mbledhur kësaj radhe në blloqe, duke e zvogluar mundësinë e humbjes së votave”, mendon Kajosheviq.

Një përjashtim është Partia Demokratike e Aleksa Beçiqit, e ndarë nga SNP para dy vitesh, e cila do të dalë e vetme në zgjedhje. Si e tillë vepron edhe Partia Socialdemokrate, e cila sivjet ka dalë nga koalicioni qeveritar me DPS. Është pritur që ajo të futet në ndonjë koalicion, por edhe ajo do të dal e vetme në zgjedhje.

Në zgjedhje merr pjesë edhe partia opozitare “Pozitivna Crna Gora” (Mali i Zi Pozitiv), ndonëse ajo në fillim të këtij viti e ka mbështetur qeverinë, pas daljes së SDP nga koalicioni. Kjo parti do të ketë problem me kalimin e pragut të përfaqësimit parlamentar prej tre për qind. Por, nëse futet në Parlament, mund të pritet që do të bashkëpunojë me partinë e Gjukanoviqit.

“Megjithatë mendoj se në këto zgjedhje është e mundur që DPS të mos fitojë numrin e mjaftueshëm të mandateve për krijimin e qeverisë”, thotë për DW, analisti Boris Raoniq.

Rolin vendimtar në këto zgjedhje mund ta luajnë partitë, të cilat deri tani kanë qenë me Gjukanoviqin në koalicion.

“Ekziston mundësia që DPS t’i bëjë thirrje ndonjë partie opozitare për bashkëpunim. Një qeveri e tillë do të ishte një shembull i mirë para bashkësisë ndërkombëtare. Por nuk dihet sa do të ishte funksionale, kur kemi parasysh përvojat nga e kaluara,” shpjegon Kojasheviq.

Në listat zgjedhore do të jenë 17 lista me 34 parti. Raoniq mendon se kjo është oferta deri tani më e mirë para zgjedhësve. Ndërsa, gazetari i revistës Dan, Marko Vesheviq, thotë se programet dhe ideologjitë e partive janë të parëndësishme: “Linja kryesore e ndarjeve mes partive është mbështetja e Gjukanoviqit apo kundërshtimi i tij.”

“Nëse krijohet një koalicion pa DPS, mund të ketë edhe krizë politike, sepse DPS do të pengonte krijimin e qeverisë”, mendon Kajosheviq.

Vetëm një ditë para zgjedhjeve, nuk mund të thuhet se kush do t’i fitojë zgjedhjet, sepse nuk ka ndonjë sondazh serioz.