Gafurr Dibrani – i dyshuar për terrorizëm, dëbohet nga Italia (Foto)

30.11.2016 14:47:29

Agjencia e lajmeve “Ansa” ka njoftuar se është dëbuar nga Italia kosovari i dyshuar për terrorizëm.

Gafurr Dibrani ka qenë i arrestuar për dyshimet për terrorizëm, por më pas është lëshuar nga gjykata në mungesë të provave.

24-vjeçari kosovar ka jetuar në Fiesse pranë Brescia për 10 vjet, u dënua për në Kosovë pas një peticioni të zhvilluar nga Ministria e Brendshme, e cila është miratuar nga gjykata.

Ministri i Brendshëm, Angelino Alfano, ka thënë se hetimet kanë treguar se i huaji është i lidhur me një rrjet të një luftëtari maroken, i cili ishte larguar nga Brescia më 2013-n për të shkuar në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS).

Alfano ka thënë se profili i “Facebook”-ut të kosovarit ka qenë “interesant”, e kjo për shkak të përmbajtjes së tij xhihadiste dhe lidhjet me dy islamistë të tjerë, të cilët ishin dëbuar më herët nga Italia.

Ministri i Brendshëm italian gjithashtu ka shtuar se edhe një pakistanez 42-vjeçar i “radikalizuar” është dëbuar të mërkurën nga Italia, kështu duke çuar numrin në 127 të të dyshuarve për terrorizëm që janë dëbuar nga Italia që nga janari i vitit 2015.