Gashi për tensionet në LDK: Në zgjedhjet e partisë votojnë vetëm anëtarësia e jo masat popullore

21.05.2019 21:21:24

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se në zgjedhjet e brendshme të LDK-së do të evitohen incidentet si ato në Mitrovicë, pasi ka pasur një keqkuptim në koncept.

Gashi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se tensionet në zgjedhjet e brendshme të LDK-së në Mitrovicë kanë ndodhur si pasojë e dëshirës që kanë njerëzit për t’u angazhuar në LDK.

“LDK po shihet si alternativa më e arsyeshme dhe më e mundshme që të merr pushtetin në Kosovë dhe normalisht ka pasur shumë pjesëmarrës në këto zgjedhje të brendshme të LDK-së dhe si duket Kryetari i Degës [në Mitrovicë] dhe kryetarët e nëndegëve nuk kanë qenë të gatshëm ta menaxhojnë këtë proces zgjedhor me aq shumë njerëz dhe janë ngritur tensionet”, tha ai.

“Problemi është se në koncept është gabuar, pasi zgjedhjet partiake janë ekskluzive e jo inkluzive ku përfshihen masat qytetare. Ato janë zgjedhje ku votojnë vetëm njerëzit e LDK-së. Duke përfshirë më shumë njerëz në këto zgjedhje e duke mos pasur lista zgjedhore ka ardhur deri te incidentet e këtij lloji që në të ardhmen nuk do të përsëriten”, shtoi Gashi.

Deputeti i LDK-së ka thënë se në bazë të Statutit të LDK-së, anëtarët e LDK-së, që janë të regjistruar deri në 20 ditë para mbajtës së kuvendit të nëndegës, automatikisht kthehen në votues në momentin që mbahen zgjedhjet në nëndegë.