Gashi: Selimit i janë hequr dy vjet burg

25.07.2017 15:53:41

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e avokatëve të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Avokati i Selimit, Tomë Gashi në një deklaratë për KosovaPress tha se klienti i tij është shpallur i pafajshëm për përgjegjësi komanduese për pikat e aktakuzës për të cilat Gjykata e Apelit e kishte shpallur fajtor.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme e Kosovës ka modifikuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2016 duke e ndryshuar këtë aktgjykim dhe duke e zbritur dënimet me aktgjykimet e mëhershme prej 10 në 8 vjet.

“Ne sot kemi marrë një aktgjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka vendosur lidhur me seancën e cila është mbajt më 20 qershor të këtij viti. Dhe e ka aprovuar pjesërisht ankesën e z Sylejman Selimi, respektivisht me avokatëve të tij. Kështu që e ka liruar atë nga përgjegjësia komanduese nga vepra penale për të cilën ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Apelit më herët gjatë vitit 2016-të, edhe pse paraprakisht ka qenë i liruar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë , në gjykimin e shkallës së parë. Gjykata Supreme duke e aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësve e ka liruar si të pafajshëm krejtësisht Selimin nga vepra penale e përgjegjësisë komanduese, për të cilën ai ka qenë i akuzuar së bashku me Sami Lashtakun dhe Jahir Demakun dhe e ka modifikuar aktgjykimin e mëhershëm. Kështu që i është ulur dënimi i mëparshëm. Është shndërruar dënimi i cili më herët me dënim burgim prej 10 viteve tani është me dënim të përgjithshëm me burgim prej tetë viteve“, tha Gashi.

Gashi ka shtuar se Sylejman Selimi me dhjetëra herë e ka dëshmuar dhe paraqitur pafajësinë e tij.

Sipas tij, Selimi është dënuar padrejtësisht dhe pa prova.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në interesin e tij që përfundimisht në të ardhmen Selimi të shpallet krejtësisht i pafajshëm”.

Ai ka përjashtuar mundësin e ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për këtë rast dhe për rastin e ashtuquajtur “Drenica”.

Sylejman Selimi, fillimisht ka qenë i dënuar prej 14 viteve nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Pas ankesave të avokatëve, Gjykata e Apelit e ka shqiptuar në një dënim prej 10 viteve dhe sot është marrë edhe një aktvendim me të cilin edhe ky dënim është zbritur, duke u aprovuar ankesa pjesërisht e mbrojtësve të Selimit dhe është një vendim përfundimtar që ai është i dënuar prej 8 vitesh.

Avokati Gashi, ka thënë se shumë shpejt do të paraqesim kërkesë për lirimin e tij me kusht.