Gashi: Të akuzuarit e Speciales, mund të marrin dëmshpërblim (Video)

29.03.2017 19:57:06

Avokati Tomë Gashi në emisionin IndoBox të RTV Dukagjinit, tha se të akuzuarit që do të shpallen të pafajshëm në Gjykatën Speciale, mund të kompensohen.

Gashi tha se ata nuk do të mund ta padisin këtë Tribunal, por këtë mund ta bëjnë përmes padisë që mund t’i bëjnë Kosovës.

“Mundësia në bazë të dispozitave ligjore të tanishme ekziston vetëm nëse paditet Republika e Kosovës. Meqenëse ligji është i Republikës së Kosovës. Por, për ta paditur Gjykatën Speciale për dikë që mbahet në mënyrë të padrejtë në paraburgim, pastaj që gjykohet dhe pastaj në fund eventualisht lirohet si i pafajshëm, nuk është i paraparë deri më tani”, tha ai.

Avokati që mbron zëdhënësin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqin, që bashkë edhe me aktivistë të tjerë Adea Batushën, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit vazhdojnë të jenë në arrest shtëpiak, tha se në seancën e radhës, do të kërkojnë që provat të shpallen të papranuara.

“Nesër është seanca e dytë, lidhur me kërkesën që kemi bërë ne që aktakuza mos të konfirmohet dhe kemi bërë kërkesë që provat të konsiderohen krejtësisht të papranueshme. Besoj që gjyqtari nëse do të jetë i pavarur, e ka shumë të lehtë pasi që ka ekspertiza e caktuara nga institucionet e Kosovës, që dëshmojnë se nuk ka kurrfarë gjurmësh”, tha ai.

Të lartpërmendurit, dyshohen se kanë qenë pjesë e sulmit që i është bërë Kuvendit të Kosovës me 5 gusht të vitit të kaluar.