Gashi: Vendimi i Thaçit për Ushtrinë mund të jetë i dëmshëm për Kosovën (Video)

07.03.2017 22:24:25

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se veprimi i Thaçit lidhur me Ligjin për FSK-në, është më shumë i dëmshëm sesa i shëndetshëm dhe potencialisht i rrezikshëm për të ardhmen e FSK-së.

“Iniciativa për shndërrimin e FSK-së nuk duhej të vinte nga Presidenti. Këtë është dashur ta bëjë qeveria”, ka thënë Gashi në Rrokum Roll.

Ai ka theksuar se kjo nismë mund të bëhet problem sepse mund të keqpërdoret për çështje personale dhe në të ardhmen me u përdor për ndonjë puç ushtarak.

Gashi ka thënë se Ushtria e Kosovës është simbol i Republikës së Kosovës dhe nuk mund të keqpërdoret në mënyrë arbitrare.

Sipas tij, ky sistem duhet të analizohet mirë dhe të shihen defektet e tij, por kjo mund t’i kushtojë vendit, sepse nuk është diskutuar me klasën politike, dhe se shqetësimin që e kanë ndërkombëtarët është se nuk tregohet këtu kontrolli civil mbi ushtrinë.

Ai ka kritikuar publikim e letrës në media të ministrit të FSK-së, Haki Demollit, i cili, sipas tij, është sinjali më i keq se po luhet një lojë e keqe  dhe ky është treguesi më i mirë se siguria nacionale është e brishtë dhe po luhet për poena të ulët politik.

Gashi ka theksuar se ka frikë që Ushtria e vendit nuk mund të bëhet profesionale, sepse ka mungesa të mëdha, si në aspektin e logjistikës ashtu edhe të furnizimit me armatim modern.

Sipas tij, Ligji për FSK-në nuk duhet të jetë i thjesht,por duhet të jetë në kategorinë e ligjeve kushtetuese, e madje edhe duhet me qenë ligj, i cili duhet të kalojë jo me një shumicë të thjeshtë prej 61 votave, por me mbi 81 vota të deputetëve.

Deputeti i LDK-së ka thënë se Projektligji për FSK-në nuk është i studiuar, i menduar dhe se nuk ka konsensus as politik, nacional, por as  me partnerët ndërkombëtar.

“Është gabim me mendua se Kosova mund të ndërtojë ushtrinë pa partnerët strategjikë, siç është SHBA, NATO dhe Bashkimi Evropian”, ka shtuar Gashi.

Derisa për iniciativën e Thaçit për pajtimin shqiptaro-serb, Gashi ka thënë se është e mirë, por shumë parciale.

Ai ka thënë se para së gjithash, duhet me dalë e vërteta në kuadër të vendit, prej kohës së komunizmit, e vrasjet që kanë ndodhur deri më sot, e pastaj me kalua deri te Serbia.

Sipas tij, kjo temë është mjaft komplekse e cila fillimisht duhet pa prej problemeve të brendshme që i kemi si qytetarë të vendit.

Kurse për Demarkacionin, Gashi ka thënë se pikërisht tash po dalin tema të mëdha sepse sipas tij vendi po shkon në një kohë të pamenduar mirë e cila mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit. /Telegrafi/