Gazetarja humbi punën pasi i bëri pyetje presidentit rus – por kishte edhe një moment tjetër kur ajo “nervozoi” Putinin

24.12.2019 20:09:54

Alisa Yarovskaya tanimë nuk është pjesë e ekipit të kanalit televiziv shtetëror Yamal-Rajon. Dhe kjo ka ndodhur pak ditë pasi i bëri një pyetje presidentit Vladimir Putin, gjatë konferencës vjetore për shtyp.

Dyshimet e para, gjithmonë sipas disa raporteve, ndodhi sepse shefat nuk ishin të kënaqur me pyetjen e saj, shkruajnë mediat botërore, përcjell Telegrafi.

Çfarë pyeti gazetarja?

Pothuajse tre orë në konferencën për shtyp të presidentit rus Vladimir Putin më 19 dhjetor, mikrofoni iu kalua gazetarëve nga rajoni Yamal.

Alisa Yarovskaya mori mikrofonin, megjithëse me sa duket ishte menduar për një gazetar tjetër të televizionit Yamal-Rajon i zgjedhur nga zëdhënësi i z. Putin, Dmitry Peskov.

Ajo filloi duke nënvizuar avantazhet e ngrohjes globale për rajonin e saj pasi kjo do të thoshte se rruga e detit Arktik po shkrihej. Infrastruktura lokale, përfshirë hekurudhat, po ndërtohej, megjithatë ndërtimi i një ure mbi lumin Ob ishte duke ngecur, tha ajo. Ura ka për qëllim të lidhë dy qytete vendore, Salekhard dhe Labytnangi.

Pse e humbi punën ajo?

Sipas një raporti nga uebfaqja Ura.ru, zyrtarë të lartë në rrethin Yamal-Nenets nuk ishin të impresionuar nga ndërhyrja e gazetares dhe kanali televiziv ishte i pakënaqur që ajo e kishte marrë mikrofonin nga një koleg.

Duke theksuar se autoriteti vendor zotëronte kanalin televiziv për të cilin punonte, Ura.ru citoi një burim qeverie të thoshte se guvernatori nuk e vlerësonte një veprim të tillë dhe se ishte rënë dakord paraprakisht që në vend të kësaj të parashtrohej një pyetje e veçantë për lidhjet hekurudhore.

Ndërkohë, Yarovskaya u ka thënë disa mediave ruse se ajo paraqiti dorëheqjen e saj, para se të pushohej nga puna, por nuk do të thoshte nëse ishte e lidhur me pyetjen e saj.

Një raport tjetër ka sugjeruar se incidenti mund të ishte lidhur me një postim në Facebook në të cilin ajo dyshohet se spekuloi nën një foto të realizuar gjatë konferencës për shtyp në lidhje me paraqitjen e z. Putin.

“Unë nuk mund të shoh botoks ose mbushës. Ai duket i moshës së tij”, thuhet se kishte shkruar ajo. Ky koment nuk mund të verifikohet pasi që postimi është fshirë.