Gecaj për Kusari-Lilën: Mimozat nuk çelin në nëntor

30.10.2016 13:14:18

Bajram Gecaj i LDK-së, ka komentuar debutimin e partisë së re të Mimoza Kusari-Lilës në komunën të cilën e udhëheq, Gjakovë.

Gecaj e ka konsideruar si paraqitje spektakulare të Kusari-Lilës, duke thënë se Kosova ka rreth 56 alternativa të regjistruara si subjekte politike. Madje ai e ka quajtur si përpjekje lokaliste duke cituar kryetaren e Gjakovës se “Është koha me nisë në Gjakovë”, transmeton lajmi.net

Gecaj ka ironizuar duke thënë se “mimozat nuk qelin në nëntor”, ndërkaq ka thënë se mbetet të shihet nëse kjo parti do ta ketë fatin e ish-subjektit të Shpend Ahmetit, FER.

Reagimi i Gecajt:

“ALTERNATIVA” PËR POLITIKANËT BREDHËS

Mimoza Kusari-Lila në mënyrë “spektakulare” paska prezantuar partinë e saj (apo edhe të dikujt tjetër) të re, duke sugjeruar se gjasat janë që shprehja “alternativë” mund të jetë pjesë e emrit të këtij subjekti; dhe kjo sepse qytetarët po kërkuakan alternativë. Nëse këtu ka menduar në vetë fjalën “alternativë”, në Kosovë tanimë e kemi një të tillë, Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK); por nëse mendon në substancën “alternativë”, atëherë Kosova tanimë ka shumë alternativa të tilla, pra kemi rreth 56 subjekte të regjistruara politike.

Nga kjo paraqitje vërehen dy (deri tani) indikacione që sugjerojnë se kjo “alternativë” mund të përfundoi në një iniciativë lokale, pasi që është promovuar në “mbretërinë” (komunën) e zonjës në fjalë, tendencë kjo lokaliste e cila përforcohet edhe më shumë kur ajo thotë: “Zakonisht në Kosovë, kur ka nisur diçka, kanë pyetur a ka nis në Gjakovë? Jo! E s’koka koha. E tash po dojmë me nisë në Gjakovë, se është koha”.

Po në Gjakovë, “alternativa” bindi edhe 8 asamblistë lokal të bëjnë të njëjtën të cilën e bëri “shefja/ideatorja” e tyre – të zhgënjejnë (fjala më e butë e mundur) elektoratin e tyre të cilët i votuan në një petk krejtësisht tjetër politik. Mimozat nuk çelin në nëntor, dhe gjithashtu ato vyshken kur ndërrojn vend nga një kopsht (parti) në kopshtin tjetër.

Fenomeni i cili më intrigoi më së shumti nga ana e “alternativës” ishte ajo “anketa” të cilën ata po duakan të zhvillojnë në tentimin e tyre “demokratik” për të përcaktuar liderin e këtij subjekti; unë vërtetë u kisha sugjeruar që më demokratike do të ishte sikur këtë ta bënin përmes ndonjë ankandit publik (auction).

Mbrëmë Shpend Ahmeti paska sugjeruar se edhe “alternativa” mund të jetë pjesë e opozitës, edhe një herë të bashkuar, në tentimet e tyre tanimë dëshpëruse për të marrë pushtetin me çdo kusht e çdo mjet. Pra, mbetet të shihet a do të përjetoi edhe “alternativa” fatin e FER-it; a do të zhbëhet plotësisht apo edhe ata do t’i tradhëtojnë idealet e ti bashkohen Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes.