Gecaj: Qeveria e Haradinajt replikë e Qeverisë së Përkohshme të Thaçit

25.03.2018 19:19:02

Bajram Gecaj, ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi drejtuar medieve, Qeverinë Haradinaj e ka quajtur Qeveri e Përkohshme e Kosovës.

Ai është shprehur se “menjëherë pas përfundimit të luftës, “komandantët” kishin instaluar dhunshëm dhe në mënyrë krejtësisht arbitrare Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (QPK)”.

“Lirisht mund të themi se kemi përsëritje e asaj qeverisjeje të ‘komandantëve’, pra QPK II, apo qeverinë e dytë më të keqe që ky vend ka parë në periudhën e pasluftës, qeveri të matrapazëve e sekserëve”, ka shkruar Gecaj.

“Të gjithë jemi dëshmitarë sa të këqija i solli këtij vendi ajo periudhë e qeverisjes së mbrapsht, periudhë kjo e cila instaloi themelet e së keqes: keqqeverisjen, krimin e organizuar, korrupsionin, shantazhin, reketin dhe çdo gjë tjetër që sinonizohet me të keqen, të mbrapshtën e kriminalen, e që fatkeqësisht po na përcjellë si mortajë vdekjeprurëse. Megjithatë, ajo periudhë qeverisjeje rezultoi gjithashtu në një zhgënjim të jashtëzakonshëm të popullit me ‘komandantët’, duke pasuar kështu me humbjet e tyre të njëpasnjëshme zgjedhore!”, ka thënë Gecaj.

Më tej ai ka thënë se ‘si në zgjedhjet e para të pasluftës, ashtu edhe tani, populli i Kosovës duhet t’ua tregoi vendin e t’u japi “flakareshin” e radhës kësaj kaste politikanësh’.

“Hiq LBD-në e zëvendësoje me AKR-në (të dyja parti të parëndësishme), sot lirisht mund të themi se kemi replikimin e asaj qeverisjeje të ‘komandantëve’, pra QPK II, apo qeverinë e dytë më të keqe që ky vend ka parë në periudhën e pasluftës, qeveri të matrapazëve e sekserëve. Fatkeqësisht, tani kemi të bëjmë me njerëzit e njëjtë por të cilët kanë sofistikuar mjetet dhe metodat e tyre keqbërëse, duke krijuar njëkohësisht edhe bazë të fuqishme financiare. Si të tillë, do të jetë sfide e jona e madhe kombëtare, shumë më e ndërlikuar se më parë, mënjanimi i tyre nga sistemi qeverisës, e për t’i mundësuar pastaj këtij vendi që përfundimisht të përjetojë frymën e vërtetë të lirisë, pavarësisë e demokracisë. Ashtu si në zgjedhjet e para të pasluftës, ashtu edhe tani, populli i Kosovës duhet t’ua tregoi vendin e t’u japi “flakareshën” e radhës kësaj kaste politikanësh, kësaj replike apo këtij imitimi të QPK-së, pra QPK dyshit!”, ka shtuar më tej ai.