Gecaj: Taksa nuk hiqet, por Serbia do të detyrohet të ulet në tavolinë kur qeverinë e merr PDK-ja

13.09.2019 22:15:34

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gecaj, ka thënë se me ardhjen në pushtet të PDK-së, Serbia do të detyrohet të ulet në tavolinën e bisedimeve edhe pa u larguar taksa.

Gecaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa ka qenë masë reaktive që shtetet e përdorin në momente të caktuara për të mbrojtur veten.

Ai ka thënë se ana tregtare e taksës është në rregull, por si efekt anësorë i taksës janë këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kandidati për deputet nga PDK-ja thotë pasi taksa na është kthyer në temë primare në shtetin tonë, ka pasur pasoja të jashtme.

“Ne nuk jemi më prezentë në shtete të rëndësishme të BE-së ashtu siç ishim prezentë para taksës, ndërkohë ne kemi disa “çnjohje” pasi taksa na u kthye në temë primare e shtetit”.

Gecaj ka thënë se kërkesa e Veselit për suspendim të taksës në një kohë të caktuar ka qenë e arsyeshme ndërsa sipas tij tani janë krijuar rrethana të reja.

“Taksa nuk hiqet, por ditën që vjen PDK-ja në pushtet Serbia do të detyrohet të ulet në tavolinën e bisedimeve”, tha ndër të tjera Arben Gecaj.